Kosova sfidohet nga qarkullimi i dinarit, Mehmeti flet për rritjen ekonomike

02 janar 2023 | 14:29

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka bërë me dije se parashikimet e BQK-së për këtë vit janë që norma e rritjes ekonomike të jetë rreth 4 për qind.

Ai ka thënë se për vitin që sapo kemi hyrë parashohin ulje të inflacionit (zbritje të çmimeve) në 6 për qind, normë kjo e cila siç ka thënë ai do t’i kontribuojë rritjes ekonomike.

Sfidë për vendin mbetet qarkullimi i valutës serbe, dinarit në disa komuna të Kosovës me shumicë serbe.

Ndërsa e mira për vendin, vazhdon të mbetet rritja e vazhdueshme e të hyrave nga diaspora, remitancat të cilat kanë arrit rreth 1 miliard euro vetëm për dhjetë muaj të vitit 2022.

“Parashikimet tona janë se do të kemi një rritje ekonomike 3-4 për qind (për vitin 2022). Ndërsa, viti i ardhshëm (2023) siç po shihet edhe në nivel global si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, do të jetë sfidues. Mirëpo, ne si BQK parashikojmë që nga gjysma e dytë e vitit të 2023 do të kemi një konsolidim të plotë në nivel të Kosovës e global, që më pastaj kjo do të ndikojë që parashikimet tona për vitin e ardhshëm të kemi një rritje përafërsisht rreth 4 për qind të rritjes ekonomike në Kosovë. Kjo mund të konsiderohet si një rritje e ekonomike e konsoliduar e që më pastaj do të ndikohet prej shumë faktorëve. Po ashtu parashihet që të kemi një ulje të inflacionit në vitin e ardhshëm. Parashikimet tona janë që kjo normë e inflacionit do të ulet deri në 6 për qind. Dhe kjo ulje do të ndikonte pozitivisht në aftësinë paguese të qytetarëve, duke ndikuar po ashtu edhe në rritjen e konsumuese si kategori kryesore, e cila do të ndikojë në rritjen ekonomike”.

“Ne kemi pasur raste dhe informata kur kanë operuar edhe bankat komerciale në mënyrë ilegale, të cilat kanë bërë qarkullim të dinarit. Ajo çka na takon neve si BQK, që me ligj është autoritet për rregullimin e të gjithë institucioneve financiare, duke filluar prej licencimit, mbikëqyrjes, rregullimit e kështu me radhë. Derisa kemi pranuar informatat e tilla për funksionimin e tyre, puna jonë si BQK ka qenë që të njoftojmë Policinë e Kosovës. Dhe ne kemi pasur raste kur i kemi njoftuar policinë deri tri herë. Ka pasur edhe raste kur janë marrë edhe veprime sikur rasti në Graçanicë, pastaj edhe veprime të tjera. Kështu që kemi vepruar së bashku me Policinë e Kosovës sa herë që është kërkuar. Mirëpo, plani operativ ndërtohet prej Policisë së Kosovës. Puna jonë që sa herë të hasim në raste të tilla, ta njoftojmë Policinë e Kosovës që ka ndodhur edhe në të kaluarën. Këtë vit (2022) nuk kemi pasur raste që i kemi raportuar tek policia, por vitet e mëhershme po”, ka thënë Mehmeti për “Kosovapress”

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo do udhëtojë sot (e hënë) drejt ekipit tij…