Kosova shënon 70-vjetorin e pavarësisë së Izraelit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka kërkuar nga institucionet izraelite që të njohin pavarësinë e Kosovës.
Ai ka thënë se në të ardhmen, Kosova dhe shteti i Izraelit do të thellojnë bashkëpunimin në mes vete.
Veseli i bëri këto komente me rastin e shënimit të 70-vjetorit të pavarësisë së Izraelit, ngjarje e organizuar nga Bashkësia Hebreje “Best Israel Kosova”.
Kryetari i kësaj bashkësie, Ruzhdi Shkodra, ka thënë se këtë përvjetor e bënë më madhështor pikërisht pasi në këtë ditë, Shtetet e Bashkuara kanë hapur ambasadën në Jerusalem, pasi Uashingtoni më herët gjatë këtij viti, e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Ndër të tjera, Shkodra ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli që të ushtrojë autoritetin e tij tek institucionet kompetente për ndërtimin e një sinagoge në Prishtinë.
Veseli, ndërkaq, ka premtuar se shumë shpejtë në qendër të Prishtinës do të ndërtohet sinagoga e re, “në mënyrë që edhe qytetarët hebrenj të kryejnë ritet e veta në mënyrë dinjitoze në shtetin e Kosovës”.
Në Prishtinë, deri në vitin 1963, ka qenë Sinagoga e Prishtinës në lokacionin në mes ndërtesës se Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Pikërisht në këtë lokacion, në shenjë përkujtimi për hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet e nazistëve gjatë Holokaustit, tashmë është ngritur një memorial, në të cilin shkruan: “Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë”.