
Kosova shënon Ditën Botërore të Tuberkulozit
Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Tuberkulozit, me moton “Po! Ne mund t’i japim fund TB-së: Përkushtim, Investim, Realizim”, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar për Shëndetësinë Publike, ka organizuar tryezë të rrumbullakët.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë sekretari i përgjithshëm, dr. Naim Bardiqi, drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, dr. Ardita Baraku, kryetari i Shoqatës së Pulmologëve të Kosovës, Skënder Bllacaj, përfaqësues nga institutet regjionale, si dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë.
Në fjalën e tij, sekretari i përgjithshëm, dr. Naim Bardiqi, ka theksuar se sot shënohet një ditë, e cila na kujton prioritetin dhe nevojën për të vazhduar luftën kundër kësaj sëmundjeje. Tuberkulozi mbetet një nga sfidat kryesore shëndetësore në botë dhe as Kosova nuk bën përjashtim.
“Ministria e Shëndetësisë ka investuar në forcimin e kapaciteteve diagnostikuese, trajtimin falas të pacientëve dhe rritjen e vetëdijes për rëndësinë e raportimit dhe diagnostikimit të hershëm. Ministria ka filluar me kontraktimet sociale që në vitin 2018 dhe që nga atëherë ka ndarë vazhdimisht mjete për OJQ-të që realizojnë aktivitete avokuese, promovuese dhe edukative në fushën e tuberkulozit (TB). Shuma e ndarë për vitin 2023-2024 për aktivitetet e TB-së është 26,400.00 euro. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë siguron blerjen e terapive antituberkulare, duke mundësuar që çdo pacient të marrë trajtim bashkëkohor, të pandërprerë dhe falas. Nga viti 2017 e deri më tani, Ministria e Shëndetësisë ka blerë barna antituberkulare në vlerë prej rreth 800,000 euro”, tha Bardiqi.
Ndërsa, drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, dr. Ardita Baraku, ka theksuar përkushtimin e Institutit Kombëtar në luftën kundër tuberkulozit përmes bashkëpunimit me politikëbërësit, financuesit, profesionistët shëndetësorë, pacientët dhe familjet e tyre, mediat dhe organizatat vendore e ndërkombëtare.
Ajo tha se Instituti Kombëtar ka një rol thelbësor në zbatimin e rregullt të vaksinimit, mbikëqyrjen epidemiologjike, sigurimin e diagnostikës përmes Laboratorit Nacional Referent për tuberkulozin, edukimin dhe promovimin shëndetësor, analizën dhe publikimin e statistikave shëndetësore dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë për Sistemin për Mbikëqyrjen e Sëmundjeve Ngjitëse (SMSN).
Gjatë kësaj tryeze u bë prezantimi i Situatës Epidemiologjike të TB-së 2024 në Kosovë, Aktiviteteve për promovim dhe edukim të popullatës kundër TB-së, Angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë në luftën kundër TB dhe Zhvillimin dhe funksionalizimie e SMSN-së/ Moduli i TB-së në Sistemin e Informimit Shëndetësor.