Kosova shënon fitore minimale, Zhegrova debuton me gol “alla-Messi”
Përfaqësuesja e Kosovës ka shënuar fitore minimale 1:0 por shumë të rëndësishme në miqësoren ndaj Madagaskarit.
Në sfidën e zhvilluar në ‘Stade Jean Rolland’ në Paris, Kosova ka arritur të mposht kombëtaren e Madagaskarit, për t’i dhuruar debutim me fitore trajneri të ri, Bernard Challandes.
Pjesa e parë e ndeshjes nuk solli shumë raste shënimi, duke u përshkruar me shumë gabime në mesfushë, dhe pak raste shënimi të krijuara.
Rasti më i mirë i kësaj pjese, i takoi Kombëtares së Madagaskarit, që në minutën e 32’ dështoi të shënonte nga penalltia.
Pjesa e dytë solli një Kosovë krejt tjetër, që gjeti golin e epërsisë që në minutën e 48’ përmes prurjes së fundit, Edon Zhegrova, që nga krahu i majtë depërtoi bukur, për të goditur me këmbën e majtë në këndin e djathtë të portierit, për një finalizim të jashtëzakonshëm, që ngriti në këmbë mbi dy mijë tifozë të pranishëm në stadium.
Vazhdimi i ndeshjes i takoi në tërësi Kosovës, që arriti të krijonte edhe disa raste shënimi, por ishin të pafat për të arritur finalizimin, për të lënë të pandryshuar rezultatin.
Kujtojmë se pas tri dite, Kosova zhvillon një tjetër miqësore me Burkina Fason./Lajmi.net/