Kosova shënon fitore ndaj Gjeorgjisë
Kosova ka shënuar fitore bindëse ndaj Gjeorgjisë me rezultat 92:58. Kosova e nisi ndeshjen më mirë me një seri prej 9:0, e më pas ngriti epërsinë në 20:7, duke e fituar çerekun e parë 22:14. Periudha e dytë ishte më e barabartë, për të shkuar në pushim me shifrat 35:30.
Por në periodën e tretë, vashat e Kosovës shkëlqyen si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, duke qenë bindshëm më të mira se kundërshtaret, 36:12, derisa rezultati pas 30 minutash ishte 71:42. Edhe në dhjetë minutat e fundit, Kosova ishte më e mirë, duke fituar në fund me rezultat të thellë 92:58.
Te Kosova u dalluan Arbnore Përquku me 27 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime, Aulona Muhadri me 12 pikë, 14 kërcime e shtatë asistime, Enisa Kamerolli me 24 pikë dhe Astera Tuhina me 13 pikë e tetë kërcime.
Kosova përfundoi grupin me një fitore e dy humbje, derisa Gjeorgjia me tri humbje. Vashat e Kosovës tani do të luajnë për pozitat 5-8.
Në Grupin B, Malta pas vazhdimeve fitoi ndaj Qipros 82:71, duke e mbyllur grupin me tri fitore, derisa Qipro me dy fitore e një humbje.
Në Grupin A për vendin e parë, Norvegjia ishte më e mirë se Shqipëria 89:43, ndërsa Armenia mundi Andorrën 45:43.
Në gjysmëfinale të shtunën do të ndeshen Norvegjia me Qipron dhe Malta me Shqipërinë.
Ndërkohë, për vendet 5-8 do të luajnë Kosova me Andorrën dhe Armenia me Gjeorgjinë.