Kosova shënon fitore ndaj Lituanisë

12 tetor 2024 | 17:02

Kosova ka marr tri pikët e radhës, duke triumfuar si mysafir i Lituanisë me rezultat 2-1 në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Kombeve.

Që nga minuta e parë ‘Dardanët’ ushtruan trysni ndaj vendasve të cilët po mbyllnin mirë hapësirat në fazën defensive. Në minutën e dytë Albion Rrahmani bëri një pasim të mençur brenda zonës por i cili u bllokua nga mbrojtja kundërshtare.

Rastin e parë për gol Kosova e pati në minutën e 12-të me anë të Milot Rashicës por gjuajtja e tij përfundoi mbi portë.

Pas disa përpjekjeve për të gjetur golin, të besuarit e Franco Fodës më në fund e gjetën atë në minutën e 20-të.

Autor i këtij goli ishte Edon Zhegrova i cili dëshmoi se është një lojtar i nivelit botëror duke realizuar për 1-0 pas asistimit të Florent Muslijës. Ndonëse në një pozicion dukshëm të thellë në pozitë jashtë loje, vendasit ia dolën të shënojnë për rezultatin 1-1, por VAR-i më pas e anuloi atë.

Në pjesën e dytë, Kosova e ka gjetur edhe golin e dytë në takimin ndaj Lituanisë.

Zhvillohej minuta e 65-të, ku pas një kombinimi të mrekullueshëm mes treshes Zhegrova, Rashica dhe Krasniqi, ky i fundit arriti që të shënojë një super gol për të dyfishuar epërsinë e Kosovës (2-0).

Në minutën e 75-të, Kosova ka mundur ta rris epërsinë, por gjuajtja e bukur e Albion Rrahmanit shkoi ngjitur me shtyllën.

Ndeshja u hap në minutën e 84-të, kur një gabim i Amir Saipit në dalje, bëri që Kosova të pranojë gol, me Paulius Golubicka që shënoi për 2-1.

Pas kësaj fitoreje, Kosova mban vendin e dytë me 6 pikë, aq sa ka edhe Rumania, që sonte luan ndaj Qipros si mysafir.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris gëzon “shëndet të shkëlqyer”, dhe “ka…