Kosova shkatërroi Burkina Fason, Giresse debuton me fitore

24 mars 2022 | 20:02

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka nisur furishëm vitin 2022, duke shënuar fitore në miqësoren kundër Burkina Fasos, me rezultat bindës 5:0. Kjo ishte ndeshja e parë e “dardanëve” nën drejtimin e përzgjedhësit të ri, Alain Giresse.

Trajneri i Kosovës, Alain Giresse pas ndeshjes ka thënë se ishte i kënaqur me fitoren 5:0 ndaj Burkina Fasos. Por, ai theksoi se ndaj Zvicrës, Kosova do të paraqitet me ekip krejt tjetër.

“Është e rëndësishme ta filloj karrierën time te Kosova me fitore. Jemi paraqitur me ekip ndryshe. Ndaj Zvicrës do të kemi ekip krejt tjetër. Dhe kjo do të na japë një ide të përgjithshme për ekipin e Kosovës. Shume me rëndësi të arrij fitoren më të lartë në ‘Fadil Vokrri’. Qëllimi ishte për t’i kënaqur. Me këtë fitore besoj se tifozët janë të kënaqur”, ka thënë Giresse. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” nisi me një minutë heshtje në shenjë nderimi për ish-sekretaren amerikane dhe miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright, e cila të mërkurën ndërroi jetë.

“Dardanët” dhuruan spektakël në këtë ndeshje, edhe pse Giresse preferoi ta nisë lojën pa disa prej lojtarëve titullarë. Serinë e golave e nisi Fidan Aliti, në minutën e tretë pas asistimit të Zhegrovës, derisa 20 minuta më vonë epërsinë e shtoi Astrit Selmani, pas asistimit të Rashicës. Loja e mirë e Dardanëve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku realizuan edhe tre gola tjetër.

Mërgim Vojvoda realizoi për 3:0 në minutën e 53-të, ku sërish asistues ishte Milot Rashica. E ky i fundit në minutën e 68-të shënoi gol të shkëlqyeshëm. Ndërkaq, rezultatin përfundimtar e vendosi Toni Domgjoni në minutën e 75-të. Paraqitje mbresëlënëse pati edhe portieri Samir Ujkani, i cili realizoi disa pritje, në mesin e të cilave edhe gjuajtjen e Tapsobas nga penalltia, në minutën e 65-të. E në këtë ndeshje debutoi edhe futbollisti i Superligës, Lumbardh Dellova, të cilit trajneri francez ia rezervoi 20 minuta lojë. Kjo është fitorja e parë e Kosovës pas katër humbjeve dhe dy barazimeve. Ndeshjen e radhës “dardanët” e zhvillojnë më 29 mars kundër Zvicrës në Cyrih.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i AAK-së, Gazmend Syla, ka postuar një fotografi në…