Kosova shkëlqen ndaj Turqisë
Kombëtarja e Kosovës (femrat) e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme ciklin kualifikues për Euro 2021.
Në ndeshjen hapëse të Grupit A “Dardanet” kanë shënuar fitore kundër Turqisë, me rezultat 2:0. Vashat tona kanë shfaqur një paraqitje mbresëlënëse gjatë tërë 90 minutave, duke i kënaqur me lojë mbi 4 mijë tifozë të mbledhur në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. Rezultatin e zhbllokoi Modesta Uka, në minutën e 33-të, kur gjuajti saktë brenda zonës për ta dërguar topin në rrjetën e portës turke. Ky gol iu dha zemër edhe më shumë futbollisteve tona, të cilat shumë shpejt e shënuan edhe golin e dytë. Kësaj radhe ishte Liridona Syla, e cila me një gjuajtje të fortë e nguliti topin në rrjetë për 2:0, kur po zhvillohej minuta e 39-të.
Loja e mirë e “Dardaneve” vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku krahas lojës së mirë në mbrojtje u shfaqën shumë të rrezikshme edhe në sulm për ta përmbyllur me sukses sfidën e parë të këtyre eliminatoreve. Kosova për kundërshtar në grup ka edhe Holandën (kampione në fuqi e Evropës), Rusinë, Slloveninë dhe Estoninë. Ndeshjen e ardhshme Dardanet do ta luajnë më 3 shtator si mysafire kundër Sllovenisë.