Kombëtarja e Kosovës ka arritur suksesin më të madh deri më tash pas pranimit në UEFA e FIFA, duke u ngjitur për herë të parë në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Dardanët e vulosën këtë arritje të madhe pas një paraqitjeje të shkëlqyer në dy ndeshjet e “play-off”-it ndaj Islandës. Pas fitores 2:1 në sfidën e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ekipi i drejtuar nga Franco Foda triumfoi edhe në ndeshjen e kthimit në Murcia të Spanjës me rezultatin 3:1, duke siguruar një fitore të përgjithshme 5:2.
Vedat Muriqi ishte figura kryesore e kësaj fitoreje të madhe. Sulmuesi prizrenas realizoi të tre golat e Kosovës në ndeshjen e kthimit, duke udhëhequr ekipin drejt këtij suksesi historik. Ndeshja nisi me disavantazh të hershëm për Kosovën, pasi Islanda kaloi në epërsi që në minutën e 2-të me golin e Orri Oskarssonit. Megjithatë, ekipi ynë reagoi fuqishëm.
Në minutën e 35-të, Muriqi barazoi rezultatin pas një aksioni të bukur të Leart Paqaradës. Vetëm pak çaste para përfundimit të pjesës së parë, në minutën e tretë të kohës shtesë, Muriqi realizoi golin e dytë pas një asistimi të Milot Rashicës. Në pjesën e dytë, Kosova vazhdoi të kontrollonte lojën. Portieri Amir Saipi bëri një pritje vendimtare, ndërsa moment i rëndësishëm në ndeshje ishte ai i minutës së 69-të, kur kapiteni islandez Aron Gunnarsson u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak.
Kosova e shfrytëzoi këtë epërsi numerike dhe në minutën e 79-të, Muriqi realizoi golin e tretë pas një asisti të Lindon Emërllahut, duke vulosur fitoren 3:1 dhe kualifikimin në Ligën B. Ky është një moment historik për futbollin e Kosovës, e cila ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në Ligën e Kombeve.
Pas debutimit në këtë garë në edicionin 2018/19 nga Liga D, Kosova arriti të ngjitej në Ligën C, ku garoi për tre edicione radhazi. Tani, me këtë sukses të madh, ekipi ynë do të jetë pjesë e Ligës B në edicionin 2026/27.
Me këtë arritje, Kosova forcon edhe më shumë pozitën e saj në futbollin evropian dhe do të përballet me kundërshtarë edhe më të fortë në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.