Kosova shpreh interesim për bashkëpunim me kompanitë austriake

23 maj 2024 | 15:24

Duke vazhduar diskutimet nga takimi paraprak me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer mbi interesin për bashkëpunim me kompanitë austriake, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Federatës së Industrisë Austriake për të shqyrtuar hapat konkretë në këtë drejtim.

Lidhur me këtë, ministri Murati priti të enjten në takim presidentin e Federatës së Industrisë Austriake, Georg Knill, drejtorin për Tregje dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në këtë federatë, Igor Sekardi, dhe ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer.

Gjatë takimit, ministri Murati prezantoi disa nga politikat e qeverisë që kanë ndikuar në rritjen e punësimit të grave dhe të rinjve, përfshirë subvencionimin e pagave përmes platformës Superpuna, bursat për gratë në fushat STEM dhe trajnimet për të rinjtë në teknologji dhe inovacion.

Përveç fuqisë punëtore të kualifikuar, ministri Murati theksoi sektorët e minierave dhe të përpunimit të metaleve si dhe normat e favorshme tatimore, si avantazhe të Kosovës që e bëjnë atë vend atraktiv për investime.

Në anën e tij, presidenti Knill shprehi gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës duke vlerësuar potencialin ekonomik dhe mundësitë e shumta që ofron Kosova për investitorët e huaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka…