‘Kosova, shtet i xhudos’, qeveria miraton programin që e bën xhudon prioritet
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar programi “Kosova, shtet i xhudos”.
Ky program, kostoja e së cilit kap 12 milionë euro, sipas qeverisë, ka për qëllim zhvillimin dhe masovizimin e sportit të xhudos në Kosovë dhe emërtimin e Kosovës si shtet i xhudos.
Përmes këtij programi, kryeministri Albin Kurti, ka thënë që xhudo vendoset prioritet shtetëror duke u angazhuar në fuqizimin e sportit si mjet për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë si dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës.
Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se ky program i ka gjashtë qëllime kryesore: infrastrukturën, fuqizimin e kapaciteteve trajnuese, masovizimin e sportit të xhudos, mbështetjen për trajnerë dhe sportistë elitarë, organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vendin tonë dhe promovimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.