Kosova si Zvicra?
Shkruan: Agron HOTI
Ka qenë ëndërr dhe ende s’është molisur bindja se Kosova menjëherë pas çlirimit nga pushtimi serb ka mundur të bëhej si Zvicra. Kjo bindje, se një gjë e tillë ka mundur dhe është dashur të ketë ndodhur, vazhdon edhe sot te një pjesë e shoqërisë sonë, edhe pse me ritëm më të ngadalshëm sepse qytetarët kanë filluar ta kuptojnë që organika e krijimit, ndërtimit dhe konsolidimit të shteteve merr shumë kohë ashtu siç u ka marrë të gjitha shteteve në botë, pa përjashtim.
Po të varej zhvillimi dhe konsolidimi i shteteve vetëm nga rrethanat e brendshme dhe po të përqendroheshin shtetet vetëm në punë të brendshme pa i shtrirë këmbët në rrafshin ndërkombëtar, atëherë historia dhe konfiguracioni i globit do të shkruhej dhe dukej krejtësisht ndryshe. Meqë historia e zhvillimit të njeriut, familjes, fiseve, kombit, shteteve dhe rajoneve është e ndërtuar mbi bazën e interesave, atëherë jo rastësisht edhe sot, me gjasë edhe nesër, bota ndahet në atë të zhvilluar, në zhvillim dhe të varfër. Bindja për zhvillim e prosperitet ka qenë shpresa dhe ideali i përpjekjeve të shqiptarëve të hapësirave ish-jugosllave, të cilët shtetin jugosllav nuk e ndienin si të vetin ashtu siç ky shtet përmes metodave represive na shihte si mish të huaj. Dhe është shumë mirë që kishim atë bindje.
Një popull që nuk ka shpresa dhe ëndrra për liri, ai dalëngadalë zvenitet dhe zhduket. Kështu ka ndodhur me shumë popuj e kultura të ndryshme që sot nuk ekzistojnë më. Shqiptarët e hapësirës ish-jugosllave padrejtësisht nuk u lejuan të jetojnë së bashku me trungun e tyre, Shqipërinë. Kjo pati pasoja që, ndoshta, vonë ose kurrë nuk do të mund të riparohen. E një ndër pasojat më të mëdha është se shqiptarët edhe sot përbëjnë pjesën më të varfër në Evropë, pa marrë parasysh orientimin e tyre më pro-perëndimor në Ballkan.
Se shqiptarët shpirtërisht kanë orientim perëndimor këtë e dëshmon edhe orientimi i tyre kryesisht drejt Gjermanisë, Italisë, Zvicrës dhe Austrisë. Edhe konceptin për kombin e bazojmë në të kaluarën etnike dhe kulturore, pra njëjtë siç e konceptojnë kombin gjermanët, për dallim prej anglezëve dhe francezëve që kombin e identifikojnë me shtetin. Ajo çfarë i mahnit shqiptarët është zhvillimi i jashtëzakonshëm, kryesisht ekonomik, që ka hapësira gjermane, austriake e zvicerane duke mos përjashtuar të arriturat në shkencë, filozofi, industri, kulturë etj. Në zhargonin popullor (kryesisht në Kosovë) Zvicra është marrë si shtet model më i përafërt me hapësirën shqiptare e të cilën ne do të mund ta imitonim. Por, dallimi mes ëndrrës, dëshirës dhe realitetit është i madh.
Siç dihet, dokumenti themelues i Konfederatës Helvetike (Shtetit Zviceran) është Karta Federale e vitit 1291 e arritur në mes të komunave rurale të Uri-it, Schwyz dhe Unterwalden. Ashtu sikurse populli shqiptar, edhe Zvicra ka kaluar nëpër pushtime të ndryshme, kryesisht romake, franceze e gjermane, por që këto kanë përfunduar shumë herët. Ashtu sikurse shqiptarët, edhe populli i vyeshëm zviceran, edhe pse i shtrirë në 4 etni, ka arritur ta ruajë identitetin e vet dhe sot ka Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për kokë banori ndër më të lartin në botë.
Sipas raportit të UNDP-së për Zhvillimin e Indeksit Njerëzor (Human Development Index – HDI) “Zvicra në vitin 2017 kishte HDI 0.944 mbi mesataren e 0.894 të grupit të vendeve me HDI më të lartë si dhe mbi mesataren 0.895 të vendeve të OECD-së (Organisation for Economic Cooperation and Development)”. Ndërkohë që, sipas Raportit të UNDP-së të vitit 2016 për shkallën e HDI-së, thuhet se HDI e Kosovës është 0.741, e cila përbën njërën ndër më të ulëtat në rajon krahas Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat zënë vendin e 85 në botë”.
Sipas Raportit të Transparency International mbi Indeksin e Percepcionit të Korrupsionit në shkallë globale, “Zvicra renditet në grupin tri vendeve të Evropës Perëndimore & Bashkimit Evropian”, ndërkohë që “Kosova renditet në vendin 93 në grupin e vendeve të Evropës Lindore & Azisë Qendrore”.
Sa i përket nivelit të zhvillimit ekonomik, Shqipëria, Kosova dhe pjesë të tjera të shqiptarëve kanë PBB-në më të ulët në Evropë. Arsyet janë të shumta, disa thonë që nuk kemi qenë sa duhet shtetformues, disa thonë se kemi qenë mjaftueshëm shtetformues, por të tjerët na kanë penguar, disa nuk thonë as ashtu e as kështu, por gjithsesi që kjo skizmë mes shoqërisë na përcjell me shekuj. Ka edhe të tjerë që thonë se shoqëria shqiptare ka mbetur e pazhvilluar si rezultat i korrupsionit dhe krimit të organizuar etj. Me një fjalë, të gjitha kanë kontribuar nga pak.
Një gjë dihet, se pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, për dallim prej popujve përbërës të saj (bullgarë, serbë, grekë, rumunë etj.), shqiptarët nuk kishin arritur të ndërtonin sub-sistem, i cili do t’u jepte përgjigje rrethanave të reja. Kurse popujt fqinjë e kishin elementin fetar, i cili i mbante të përbashkuar për rrethana të reja dhe i cili i mban edhe sot. E shqiptarët, trekonfesionalë siç u bënë, nuk e patën këtë mundësi.
Të kaluarën etnike dhe kulturore të shqiptarëve nuk mund ta lidhte mjaftueshëm gjuha shqipe sepse shkollat shqipe në atë kohë mungonin për të ngritur një frymë të fortë identitare, mbi bazën e së cilës shqiptarët do të mund të avanconin drejt konsolidimit si komb, për t’u futur pastaj nën një ombrellë shtetërore të përbashkët.
Dhe pastaj gjërat rrodhën si rrodhën. Na ndanë, na bënë për pesë pare, na tkurrën territore me qëllim të pamundësimit të produktivitetit ekonomik si bazë për të ardhmen e qëndrueshme të një kombi. Me gjithë vështirësitë e panumërta, si Shqipëria ashtu edhe Kosova, ia dolën të bëhen shtete, por larg standardit të Zvicrës, që është e natyrshme për një shtet që ndërtohet prej zeros, edhe pse ka që nuk pajtohen me këtë rezonim.
E shteti i Kosovës me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare filloi të frymojë, të zhvillohet me të njëjtin ritëm siç zhvillohet çdo shtet i ri. Sigurisht që vështirësitë në këtë rrugëtim janë të shumta, por nga idealizmi i madh që kemi pasur për shtetbërje nuk kemi menduar e, ndoshta, as që kemi dashur të mendojmë për sfida që mund të dalin gjatë rrugës. Gjithmonë kemi menduar për teorinë e zhvillimit dhe ndërtimit të shtetit, por asnjëherë nuk kemi menduar, së paku jo të gjithë, që shteti, si çdo kund në botë, praktikisht drejtohet prej grupeve të interesit dhe se kjo shpesh krijon tension e çoroditje e sidomos gjatë fazave të hershme të shtetndërtimit. Ne nuk mund të përbëjmë përjashtim nga bota sepse ndërtimi dhe zhvillimi i shtetit është një sfidë që do shumë mund dhe kohë, pa marrë parasysh ëndrrën dhe dëshirat.
Bërja, zhvillimi dhe konsolidimi i shtetit është sikur fëmija kur rritet, piqet, arsimohet dhe kontribuon për familjen, shoqërinë, kombin dhe shtetin. Nuk ka sens që punët e një të rrituri t’i bëjë një fëmijë sepse, fundja, anatomia trupore nuk e mundëson një gjë të tillë. Prandaj, është shumë mirë që kemi ëndërruar të bëhemi si Zvicra e jo, p. sh., si ndonjë shtet i dështuar. Sepse një popull që nuk ka ëndrra nuk ka të ardhme.
Në anën tjetër, nuk duhet të harrojmë që fqinjët tanë kanë formuar shtetet e tyre shumë para nesh dhe nuk janë as afër të qenurit si Zvicra. Pse, p. sh., Kosova u dashka dhe paska pasur mundësi të bëhet Zvicër, e nuk paskan pasur mundësi Bullgaria, Greqia, Rumania, Kroacia, Serbia etj.?! Shtetet rajonale janë formuar që mbi 150 vjet dhe ende nuk janë bërë si Zvicra dhe janë shumë larg atij objektivi. A nuk paskan dëshirë këto shtete të bëhen si Zvicra?! Pse vetëm Kosova u dashka të bëhet si Zvicra e të tjerët jo?! Edhe pse do të ishte ideale që për 11 vjet shtet të bëheshim si Zvicra dhe të futeshim në librin e Ginisit.
E vërteta është se rrethanat nëpër të cilat ka kaluar Zvicra janë krejtësisht të tjera, krahasuar me ato të Kosovës. Pozicioni gjeografik i Zvicrës është krejtësisht tjetër, krahasuar me atë të Kosovës, kjo sepse Zvicra kufizohet me shtetet më të forta të Evropës, e Kosova kufizohet me ato më të varfrat. Zvicra e ka arritur fazën e industrializimit dhe është duke e zhvilluar edhe më tej atë. Zvicra nuk ka ëndrra të bashkimit kombëtar, ndërkohë që Kosova me hapësirat e tjera shqiptare në rajon, ëndërrojnë bashkimin me Shqipërinë që tregon se shqiptarët ende nuk e kanë përfunduar gjeografikisht komb-konsolidimin e tyre, i cili do të rezultonte me një shtet të vetëm shqiptar.
Kosova dhe fqinjët e saj fazën e industrializimit edhe pse me ekonomi të centralizuar e kanë përjetuar vetëm gjatë periudhës komuniste, ndërkohë që pas rënies së komunizmit rajoni i Evropës Juglindore u de-industrializua pothuajse tërësisht. Kjo nuk duhet nënkuptuar që komunizmi ishte i mirë për shqiptarët, sepse nëse krahasojmë nivelin e industrializimit me ish-republikat jugosllave, Kosova kishte nivelin më të ulët të zhvillimit. Dhe një shtet apo rajon që nuk ka industri, e ka tepër të vështirë, nëse të pamundshme (kjo së paku në plan afatshkurtër dhe afatmesëm) ta ulë shkallën e papunësisë siç është sot në Kosovë e rajon.
Kosova dhe Evropa Juglindore në përgjithësi janë duke u përballur me shkallë të theksuar të de-popullimit si rezultat i mungesës së perspektivës ekonomike, kryesisht si rezultat i deindustrializimit si motor i gjenerimit të punësisë. Ky trend do të vazhdojë edhe për një kohë të pacaktuar. Ndërsa, Zvicra, edhe pse është duke u përballur me plakje të popullsisë, ajo është duke e mbajtur gjallë produktivitetin ekonomik përmes migracionit, pra kryesisht me ardhës nga vendet jugore të BE-së, Evropës Juglindore dhe jo vetëm. Përderisa ekonomia e Zvicrës ecën me hapa të sigurt, ekonomia e Kosovës dhe rajonit ka trendë rritjeje, por të ngadalshëm. Pastaj, Zvicra është një lloj qendre financiare globale, ndërkohë që Kosova e rajoni as që pritet të bëhen të tillë.
Ka dhe një pjesë që thonë se Kosova është dashur të zhvillohet si Zvicra sepse ka shumë resurse nëntokësore. Po, vendet e rajonit a nuk paskan resurse?! Po Afrika apo rajonet e tjera të botës, a nuk paskan resurse?! Po të ishte për resurse, atëherë Arabia Saudite, Kuvajti, Iraku, Irani, Rusia do të duhej të ishin parajsë për kah niveli i zhvillimit ekonomik e që nuk janë, sepse kanë energjinë si resursi kryesor për zhvillim ekonomik pas ushqimit dhe ujit.
Në rrafshin tonë të brendshëm, luhatjet dhe polarizimet e ndryshme, shpesh me rend dite të ndryshme, kanë mbjellë një mendësi që flet për pengesat e politikës, apo të një pjese të politikës, për zhvillimin e pakënaqshëm të Kosovës. Edhe pse nuk mund të themi që performanca politike ka qenë më e mira e mundshme. Pra, ka pasur defekte e çoroditje në segmente të caktuara ashtu siç ka pasur lëvizje pozitive në drejtime të caktuara. Shpesh harrohet, me apo pa qëllim, që buxheti vjetor i Kosovës sillet mes 1.5 deri në 2.5 miliardë euro. Prandaj, të drejtuarit e Kosovës, pa marrë parasysh ëndrrat, doemos që do të duhet të lëvizë nëpër premisat dhe kanalet e ndërtuara me shumë mund e sakrificë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Çdo devijim nga ky kurs vetëm sa do të na dëmtojë në rrugëtimin tonë drejt BE-së dhe jo vetëm.
Ka një vrull cinik negativ, kryesisht për konsum të brendshëm, ku thuhet se po të mos ishin ‘këta’, ‘ne’ do ta bënim Kosovën Zvicër. Por, harrohet fakti se mundësitë e shteteve të vogla, e në këtë rast Kosovës, janë të kufizuara si rezultat i vështirësive të mëdha politike, ekonomike e sociale me të cilat jemi përballur dhe që na presin. Kemi për t’u anëtarësuar në mekanizma të ndryshëm rajonalë e ndërkombëtarë, ndërkohë që nuk njihemi si shtet nga OKB dhe BE. Asnjë prej këtyre problemeve nuk i ka Zvicra. Pastaj, Kosova, edhe pse është e përkushtuar drejt integrimit evropian, si rrugën e vetme për të ardhmen, nuk e ka mundësinë ta shfrytëzojë plotësisht tregun evropian sikurse Zvicra, e cila, edhe pse është kundër anëtarësimit në BE, është anëtare e tregut të përbashkët evropian, përfitimet e së cilës janë të jashtëzakonshme.
Edhe në aspektin e rezonimit shoqëror na duhet shumë kohë të bëhemi si Zvicra, kjo sepse, ne si shoqëri, e kemi shumë për qejf ta përmendim zbatimin e ligjit, pothuaj pa përjashtim, kurse në përballje me ligjin mundohemi të gjejmë rrugë se si të mos e zbatojmë atë. Ndërsa në Zvicër njerëzit nuk flasin më për zbatim të ligjit, sepse ata kanë arritur standard në këtë drejtim, pra ata vetëm e zbatojnë ligjin. Ose thënë më saktë, niveli i zbatimit të ligjit në Zvicër, krahasuar me atë në Kosovë, ka dallime të mëdha. Mjafton ta shohim degradimin mjedisor dhe ta shohim veten se ku jemi me zbatim të ligjit e shumë fusha të tjera.
Njerëzit tanë tërë kohën e shajnë dhe fyejnë shtetin për parregullsi e mosfunksionim, kurse vetë u ikin taksave, vjedhin, dëmtojnë mjedisin etj. Kurse njerëzit në Zvicër nuk kanë nevojë ta shajnë shtetin (edhe pse askush nuk i ndal nëse duan), as nuk ia vënë ndërskambcën shtetit, por paguajnë kontributet. Ne kemi qejf të kemi qeveri me mentalitet skandinav, e vet jemi larg tij, sa shpesh nuk e dimë as kur zgjohemi nga gjumi e as kur shkojmë për të fjetur, pra ‘si pula pa kokë’.
Nuk duhet të mendojmë asnjëherë se hyjnorja do të zbresë nga qielli dhe do të na e rregullojë në mënyrë të përsosur funksionimin e shoqërisë dhe shtetit të Kosovës ashtu sikundër që nuk duhet asnjëherë të mendojmë se tokësorja, një krah politik, do të rregullojë çdo gjë në Kosovë në plan afatshkurtër. Sigurisht që përpjekjet për rritje të cilësisë në të gjitha drejtimet e mundshme duhet të jenë pjesë e vullnetit dhe projeksioneve tona.
Shteti i Kosovës do të ecë me mundësitë e veta gjithnjë brenda kontekstit kohor dhe rrethanor. Çdo tentim për ndryshim të shpejtë dhe radikal të gjendjes pa një reformim të mirëfilltë të çdo gjëje do të shkaktojë përplasje jorezultative apo, siç thoshte filozofi gjerman Friedrich Hegel, “do të mund të ketë revolucion pa reformacion”, e kur revolucioni bëhet pa reformacion, vendi shpërthen në dhunë të pashpresë. Kjo s’do duhej ta dëshpërojë askënd. E rëndësishme të rrojë Kosova!