Kosova siguron 500 000 vaksina anti-Covid nga Pfizer

05 janar 2021 | 14:36

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë me dije se Republika e Kosovës ka siguruar 500 000 vaksina anti-Covid nga Pfizer.

“Në kuadër të angazhimeve konkrete për sigurimin e vaksinave kundër Covid-19, dëshiroj të ndaj me qytetarët informatën se kemi siguruar 500 000 vaksina kundër kësaj sëmundje nga kompania Pfizer. Konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave na e kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizer gjatë një takimi virtual të mbajtur sot me ta”, ka shkruar Zemaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Zemaj ka theksuar se MSh-ja ka qenë e angazhuar prej muajsh në shumë drejtime për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që kemi ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së shëndetit publik të tyre.

“Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë mbesin të përkushtuara që qytetarëve tanë t’u sigurojmë mbrojtje përmes vaksinimit gjithëpërfshirës kundër Covid-19. Krahas kësaj, Kosova do të marrë nga mekanizimi Covax edhe 360 000 vaksina falas për 20 për qind të popullatës. Vaksina do të sigurohen për të gjitha grupet e popullatës që duhet të mbulohen me vaksinim sipas projeksioneve të IKSHPK-së. Vaksina kundër Covid-19, do t’u jepet falas qytetarëve të vendit tonë”, ka thënë Zemaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri, ka…