
Kosova siguron tri medalje në turneun e boksit në Bullgari
Përfaqësuesit e Kosovës në boks në Turneun Ndërkombëtar “Strandja” që po mbahet në Sofje të Bullgarisë kanë siguruar tashmë tri medalje.
Pas boksieres Donjeta Sadiku, e cila ka kaluar në gjysmëfinale të garës, medalje kanë siguruar tashmë edhe dy boksierë.
Të enjten, në çerekfinale të garës ishin dy boksierë nga Kosova, ku i pari në orar ishte Bashkim Bajoku, i cili kishte për kundërshtar boksierin Sabyrkhan Makhmud nga Kazakistani, i cili nuk mundi të largojë peshën dhe Bajoku fitoi duelin pa luftë dhe siguroi medaljen e bronztë duke u kualifikuar për gjysmëfinale.
Poashtu në luftë për medalje në kategorinë deri në 71kg, Loris Idrizi për kundërshtar kishte boksierin bullgar, Mitev Kristiyan, të cilin e mundi me plot meritë dhe siguroi medaljen e tretë të bronztë për Kosovën.
Ndryshe, këto janë medaljet e para të Kosovës pas më shumë se 40 viteve nga turneu ndërkombëtar “Strandja”.
Sot (e premte) luhen gjysmëfinalet për vajza, ndërsa nesër (e shtunë) janë paraparë gjysmëfinalet për meshkuj.