Kosova s’ka gjasa reale për statusin e vendit kandidat

22 janar 2022 | 13:33

Qeveria e Kosovës planifikon që gjatë këtij viti të dorëzojë edhe kërkesën formale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë e kishte thënë në fund të vitit të shkuar kryeministri Albin Kurti, ndërsa e ka përsëritur së fundi edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, në një postim në “Twitter” pas takimit me shefat e përfaqësive të vendeve të BE-së në Prishtinë.

Nuk është hera e parë që nga autoritetet e Kosovës paralajmërohet aplikimi për anëtarësim në BE, por Kosova nuk e ka bërë asnjëherë deri më tash këtë hap.

Kjo, sipas burimeve diplomatike, për shkak të “këshillave të miqve”, të cilët kanë tërhequr vërejtjen se një kërkesë e tillë nuk do të kishte gjasa të kalonte në Këshill për shkak se Kosova nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së e procesi i zgjerimit, në secilin hap, është proces ku vendimet merren me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare.

Kështu, Kosova vazhdon të mbetet i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimor që nuk ka kërkuar formalisht anëtarësim në BE, ndërkohë që BE-ja përsërit se “Kosova ka perspektivë evropiane”.

Kësaj radhe në Bruksel nuk duan të përgjigjen në mënyrë direkte në pyetjet specifike se si do të veprojë BE-ja pasi Kosova ta dorëzojë formalisht kërkesën për anëtarësim. Por, burimet në institucionet e BE-së thonë se kjo është një çështje që i takon Kosovës, në njërën anë, dhe shteteve anëtare të BE-së, në anën tjetër. Me gjithë hezitimin që të flasin publikisht, disa bashkëbisedues të Radios Evropa e Lirë në Bruksel kanë thënë se “nuk shohin gjasa reale që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të kalojë në Këshill”.

Nga Komisioni Evropian, organ ekzekutiv i BE-së që ka një rol për të analizuar dhe rekomanduar procesin e zgjerimit, por jo edhe të marrjes së vendimeve, po ashtu nuk kanë dashur të përgjigjen në pyetjen se si do të veprojnë në rast se Kosova aplikon për anëtarësim.

Në një përgjigje të dërguar në emër të Komisionit Evropian, Ana Pisonero, zëdhënëse për çështje të fqinjësisë dhe zgjerimit, ka thënë:

“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. BE-j vazhdon ta mbështesë Kosovën që të afrohet me BE-në, dukë nisur përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, e cila hyri në fuqi në vitin 2016. Rrugëtimi evropian i Kosovës varet, po ashtu, nga normalizimi i raporteve me Serbinë”.

Më pas ajo ka shtuar se “Traktati i Bashkimit Evropian (neni 49) është i qartë sa i përket kritereve dhe procedurave për aplikim për t’u bërë vend anëtar i BE-së, përfshirë edhe faktin se aplikacionet i nënshtrohen vendimit të Këshillit me unanimitet”.

Sa i përket qëndrimit ndaj statusit të Kosovës kjo zëdhënëse ka përsëritur se “Komisioni Evropian është neutral”.

Në të kaluarën zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, kishte thënë se “Kosova nuk mund të aplikojë sepse për BE-në nuk është shtet sovran pasi nuk është njohur nga të gjitha shtetet”, e më vonë ishte përmirësuar se “secili mund të aplikojë, por është çështje tjetër sa reale do të ishte që ai aplikacion të kalojë”.

Por, ka edhe diplomatë në Bruksel, të cilët thonë se e kuptojnë edhe Kosovën kur thotë se duhet të aplikojë në mënyrë që të konkretizohet më shumë ajo që quhet “perspektivë evropiane”, sidomos duke pasur parasysh hendekun e madh që është krijuar në këtë “rrugëtim evropian” mes Kosovës dhe të gjithë të tjerëve në rajon.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link:

https://www.evropaelire.org/a/aplikimi-per-anetaresim-ne-bashkimin-evropian-/31665561.html

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica ka qëmdruar…