Kosova s’ka nevojë për zgjedhje të reja
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka thënë se në këtë fazë në të cilën gjendet Kosova më së paku ka nevojë për zgjedhje të reja.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se Kosova ka hyrë në procese ndërkombëtare dhe, sipas Berishës, as opozita nuk ka interes që në këtë kohë të organizohen zgjedhje të reja.
Ai ka thënë se kjo qeveri e ka një qasje më aktive ndaj kërkesave të komunitetit egjiptian dhe ka pohuar se nuk kanë ndonjë arsye për të përkrahur ndonjë mocion të opozitës për rrëzimin e kësaj qeverie.
“Vetëm shpresoj të rritet puna e qeverisë në raport me kërkesat tona”, ka thënë Berisha. Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, ai ka theksuar se ky proces duhet ta ketë mbështetjen e Kuvendit të Kosovës
“Epoka e re”: Cilat janë arsyet që iu bashkuat Nismës Socialdemokrate?
Berisha: Në platformën tonë parazgjedhore rritja e numrit të punësimeve dhe rritja e shkallës arsimore, pra zhdukja e analfabetizmit, kanë qenë ndër objektivat tona kryesore. Jam zotuar se do të bëj më të mirën për komunitetin të cilën e përfaqësoj, që ma ka dhënë besim dhe mbështetjen. Prandaj, do të përpiqemi të bëjmë më të mirën në mënyrë që ata ta ndiejnë vetën pjesë e barabartë në shoqërinë në të cilën jetojnë. Marrë parasysh se Nisma Socialdemokrate tani udhëheq resorët kryesorë: Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kam vendosur t’i bashkohem kësaj parie në mënyrë që të bëjmë më të mirën për elektoratin tonë.
“Epoka e re”: Në cilat komuna keni shtrirje më shumë?
Berisha: Thuajse në të gjitha. Në Pejë, Istog, Gjakovë, Prishtinë etj., në të cilat ka numër më të madh të egjiptianëve.
“Epoka e re”: Sa i përket çështjes së punësimit si vlerësohet komuniteti egjiptian?
Berisha: Gjendemi në një situatë paksa më të komplikuar, pasi në një anë është përqindja e punësimit që na takon, në anën tjetër Fondi Monetar Ndërkombëtar në vazhdimësi jep vërejtje për mbipopullim të administratës publike, pra jemi në një situatë: hiqe një nga puna që ta fusim tjetrin në punë.
“Epoka e re”: Keni vërejtje sa i përket ndarjes së buxhetit për këtë komunitet?
Berisha: Në kuadër të ndarjeve buxhetore tani hyjnë kërkesat dhe nevojat tona, po ashtu edhe për projektet dhe idetë tona që mund të paraqesim kërkesa. Po punojmë në atë drejtim që të jetë një mbështetje edhe më e mirë sa i përket komunitetit egjiptian.
“Epoka e re”: Z. Berisha, tani jeni pjesë e grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate. Do të keni qasje të njëjtë si parti sa i përket formimit të ushtrisë dhe vazhdimit të dialogut me Serbinë?
Berisha: Natyrisht jemi në linjë me Nismën. Komuniteti egjiptian në Kosovë përherë ka qenë pjesë e progresit të shtetformimit dhe ne çdoherë kemi qenë që proceset në Kosovë të ecin përpara dhe assesi të bëhemi pengesë apo të prolongojmë diçka që është në favor të qytetarëve të Kosovës dhe mirëqenies së tyre. Ne asnjëherë nuk kemi insistuar të prolongojmë procese, por të punojmë bashkërisht dhe të shkojmë përpara në mënyrë që në vendin tonë të ketë perspektivë të zhvillimit, arsimimit dhe integrimit, por edhe formimit të ushtrisë. Sa i përket dialogut me Serbinë, në këtë mandat shihet se ky proces është i ndjeshëm. Shpresojmë që tashmë kjo fazë e fundit e dialogut ta ketë një fund. Kosova duhet të jetë shumë e përgatitur në procesin e vazhdimit të dialogut me Serbinë. Pra, që të kemi koncepte të qarta në këtë proces. Duhet të hapet debati rreth procesit të dialogut dhe ta ketë një mbështetje nga Kuvendi i Kosovës. Nuk është në rregull të bëhet debat se kush duhet ta marrë primatin në këtë proces.
“Epoka e re”: Z. Berisha, cila është pozita e komunitetit tuaj sot në Kosovë?
Berisha: Prej që jam pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës jam munduar dhe kam punuar në atë drejtim, që t’u sigurojmë punësim, shkollim dhe perspektivë të qartë zhvillimore. Mund të themi se tani ka përparim dhe komuniteti ynë përfaqësohet denjësisht. Në vazhdimësi është punuar dhe po punojmë në mënyrë që ta rrisim punësimin, shkallën e arsimimit dhe ta zhdukim analfabetizmin, të cilën edhe e kemi arritur falë besimit që ma kanë dhënë qytetarët tanë dhe përkushtimit të punës sonë. Tani pjesëtarët e komunitetit egjiptian janë të punësuar në institucionet tona, pra ne kemi zëvendësministra, nënkryetarë dhe numër të konsiderueshëm të personave me arsim të lartë. Kemi doktorë, profesorë dhe rritje të vazhdueshme të arsimimit. Pra, janë persona që kanë arritur të arsimohen dhe të jenë kuadro profesionale.
“Epoka e re”: Z. Berisha, në Kuvend nuk po ka kuorum dhe, për këtë shkak, disa herë janë shtyrë seancat, ndërsa në anën tjetër opozita kërkon zgjedhje të reja duke paralajmëruar rrëzimin e Qeverisë. Cili është qëndrimi juaj në këtë dy çështje?
Berisha: Forma e tillë e bojkotimit në Kuvend nuk është metoda më e mirë. Po të isha pjesë e opozitës, grupeve të mëdha parlamentare do të merrja pjesë dhe do ta bëja kuorumin në mënyrë që projektet që janë për qytetarët të ecin përpara. Kosova është projekt i përbashkët, pra shtet i përbashkët. Ndërkaq sa i përket shkuarjes në zgjedhje të reja, mendoj se nuk ka ndonjë lëvizje që tregon se duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Në këtë fazë në të cilën gjendet Kosova më së paku ka nevojë për zgjedhje. Kosova tashmë ka hyrë në procese ndërkombëtare, në procesin e liberalizimit të vizave dhe dialogut. Unë nuk besoj se as opozita ka interes që në këtë kohë të organizohen zgjedhje të reja.
“Epoka e re”: Opozita ka paralajmëruar mocion për rrëzimin e Qeverisë. Do ta përkrahni?
Berisha. Në secilin rast dhe arsye që më jepet për ta rrëzuar qeverinë ndërmarr veprim të bazuar, por jo veprim që shkon në favor të njërës palë apo tjetrës. Ne kemi një marrëveshje me kryeministrin Haradinaj, e cila është duke u zbatuar jo në masën e duhur, mirëpo gjithmonë me mirëkuptim. Në rastet kur komuniteti përjashtohet prej mundësive të barabarta, kur ne nuk përfillemi në Kuvendin e Kosovës, normalisht se atëherë kemi arsye për t’u larguar prej qeverisë. Kjo qeveri e ka një qasje më aktive, një qasje që të përgjigjet ndaj kërkesave tona. Deri më sot nuk kemi ndonjë arsye për të ndërmarrë ndonjë veprim sa për të kaluar në anën e opozitës. Si kryetar partie jam besnik i marrëveshjeve. Çfarëdo veprimi që marr, partneri im qeverisës do të jetë i informuar me kohë. Vetëm shpresoj të rritet puna e qeverisë në raport me kërkesat tona.
“Epoka e re”: Në zgjedhjet e ardhshme do të jeni pjesë e koalicioneve parazgjedhore, pasi tanimë jeni në Nisma?
Berisha: Unë do të kandidoj sërish i pavarur dhe nuk bëhem pjesë e koalicioneve parazgjedhore pasi këtë ma garanton Kushtetua e Kosovës. Pastaj do ta shoh se si dhe ku mund t’i arrij objektivat e mia politike, pastaj shohim për koalicione paszgjedhore.
“Epoka e re”: Sa të rinj egjiptianë prisni ta lëshojnë Kosovën pas liberalizimit të vizave?
Berisha: Në këtë aspekt kam shqetësime pasi shumë njerëz liberalizimin e kuptojnë edhe si mundësi punësimi në vendet perëndimore. Shpresoj se do të bëhet liberalizimi dhe të rinjtë tanë do të shkojnë për t’u shkolluar dhe parë përvoja të reja, por kam drojën se do të largohen shumë të rinj marrë parasysh gjendjen ekonomike që kemi në Kosovë dhe me anë të ikjes së tyre apo tentimit për të mbetur apo punuar atje, vërtet që do të dëmtohej imazhi i Kosovës, por në të njëjtën kohë do të jenë edhe barrë për shtetin tonë.
Albulena S. MAVRAJ