Kosova s’ka të dhëna të sakta për viktimat e luftës
Kosova ende nuk ka një listë të konfirmuar të viktimave të luftës duke shkaktuar konfuzitet e si burim të përdoren të dhëna të organizatave.
Kjo është vetëm një nga të gjeturat e raportit “‘Tjetri’ që nuk ekziston” që nxori në pah informacionet e mangëta dhe të njëanshme për krimet e luftës në Kosovë realizuar nga BIRN Kosova gjatë vitit 2023 dhe muajve të parë të vitit 2024.
Gjatë kësaj kohe ndër të tjera janë monitoruar edhe 15 institucionet qendrore e lokale si dhe agjenci të pavarura dhe raporti thotë se institucionet e Kosovës nuk kanë hapësira të dedikuara brenda uebfaqeve të cilat flasin për drejtësinë tranzicionale apo të cilat ofrojnë të dhëna për luftën në Kosovë.
“Institucionet për fat të keq nuk kanë ende një listë të konfirmuar të viktimave, përfshirë të gjitha kategoritë e viktimave të luftës në Kosovë dhe për momentin jemi duke shfrytëzuar vetëm të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare si burimin zyrtar për atë çfarë ka ndodhur në vendin tonë”, tha Kreshnik Gashi, autor i Raportit.
Institucionet janë kritikuar edhe për publikime me karakter monoetnik, ku varësisht nga etnia e kryetarit të Komunës janë kujtuar edhe viktimat e luftës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se kujtojnë edhe viktimat serbe të luftës, siç është rasti “Panda” në Pejë, ndërsa gjuha e përdorur në dokumentin e strategjisë tranzicionale nuk i referohet vetëm një komuniteti.
“Mund të flasim për raportin dhe kritikat që i bëhen qeverisë por të paktën qasjen që ne kemi pasur edhe në hartim të dokumenteve strategjike ka qenë e paanshme. Ne nuk duhet të harrojmë asnjëherë, historinë tonë nuk mund ta ndërrojmë, është Serbia ajo e cila ka i bërë krimet në Kosovë, regjimi i Milloshoviçit, ushtria e policia kriminale”, deklaroi Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë.
Raporti kritikon edhe institucionet e drejtësisë që kanë dështuar të ndërtojnë platforma të veçanta ku ofrojnë të dhëna për procesin e hetimit dhe ndëshkimit të krimeve të luftës.
Këshilli Prokurorial u arsyetua duke thënë se për krimet e luftës dosjet e tyre nuk janë të plota pasi këto çështje iu kaluan vetëm në vitin 2018, ndërsa tani ligji nuk iu lejon të publikojnë informacionet që mund të dëmtojnë hetimin.
“Ne presim nga UNMIK si mision i parë që ka mbledhur të dhëna për krimet e luftës që të na ofrojë të gjitha ato dosje, të gjitha ato materiale, të gjitha ato dëshmi që ka për krimet e luftës sepse janë të domosdoshme për punën tonë, për të kompletuar edhe evidentimin e të gjitha rasteve të krimeve të luftës”, tha deklaroi Besim Kelmendi.
Në fushën kërkimore shkencore, raporti konstaton se Kosova nuk ka publikime serioze të realizuara nga universitetet dhe Akademia e Shkencave që adresojnë temën e drejtësisë tranzicionale.
“Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës përmes një metodologjie strikte shkencore vetëm ka filluar mbledhjen, verifikimin, përpunimin dhe arkivimin e të dhënave duke qenë shumë strikt sa i përket asaj se viktima duhet të jetë në qendër pavarësisht prapavijës etnike, kulturore, gjinore ose religjionit”, u shpreh Ardhe Hetemi, Drejtor i Institutit për Krime Lufte.
Të dhënat e hulumtimit kanë treguar edhe për përmbajtjen monoetnike të memorialeve të ndryshme, ndërsa në mungesë të të dhënave të sakta, nga monitorimi, vihet re se mediat publikojnë informacione të paplota.