Kosova sonte kërkon fitore ndaj Rumanisë

16 qershor 2023 | 08:00

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse dhe kapiteni Amir Rrahmani kanë paralajmëruar se sonte fitorja do t’i takon “dardanëve”, pasi është e vetmja rrugë për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në Kampionatin Evropian. Të mërkurën fitore ka paralajmëruar edhe sulmuesi kryesor i Kosovës, Vedat Muriqi.

Fitorja është opsion i vetëm për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll në ndeshjen që e zhvillon sonte (e premte), kundër Rumanisë në kuadër të kualifikuese “Euro 2024”. “Dardanët” në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45 përballen me rumunët që konsiderohen si konkurrentë për pozitën e dytë në grup.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani që ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm në Serie A me Napolin duke e fituar titullin e kampionit, ka thënë se “dardanët” e kanë detyrë të shënojnë fitore ndaj Rumanisë. “Kjo është ndeshja më e rëndësishme në këtë cikël kualifikues, pasi kemi përball konkurrentin kryesor për vendin e dytë. Rumania ka 6 pikë me plot meritë dhe shpresoj që ne të luajmë lojën tonë, të fitojmë dhe t’i afrohemi me pikë. Kjo ndeshje e vendos shumë fatin e këtij grupi dhe pres përkrahje nga tifozët për ta mposhtur Rumaninë, në mënyrë që të mbajmë gjallë shpresat për kualifikim. Synimi është ta fitojmë këtë ndeshje dhe do të japim gjithçka nga vetja për fitore”, ka thënë Rrahmani, i cili e pranon se dështimi në ketë ndeshje do të thotë që Kosova mund ta harrojë ëndrrën për kualifikim në Evropian. Në konferencën për medie i pranishëm më kapitenin Rrahmani ishte edhe përzgjedhësi Alain Giresse. Strategu francez e pranon se të gjithë në kampion e “dardanëve” janë të motivuar për fitore.

“Besoj se ata do të futen në fushë me motivim të madh për fitore. Kemi mungesa të rëndësishme, ngase Rashani është larguar nga grumbullimi për shkak të lëndimit, derisa Zhegrova nuk është stërvitur disa ditë dhe është duke u rikuperuar. Po shpresojmë që ai të jetë gati”, ka thënë Giresse, i cili me këtë rast konfirmoi se rumunët kanë individë të shquar, por Kosova do të jap maksimumin për të rrëmbyer pikët e plota.

Sulmuesi shtatlartë Vedat Muriqi të mërkurën ka thënë se në “Fadil Vokrri” s’ka opsion tjetër përveç tri pikëve në përballje me rumunët.

“Kryesorja është se jemi optimistë në radhë të parë, por edhe jemi lojtarë që punojmë shumë, prandaj shpresoj në trepikësh në ‘Fadil Vokrri’ para tifozëve tanë. Këto padyshim janë dy ndeshje kruciale. Fillimisht kemi përballë Rumaninë, e cila ka katër pikë më shumë se ne dhe nuk mund të parashikoj situatë tjetër përveç tri pikëve. Çdo rezultat tjetër mund të na shkatërrojë dhe të na shkaktojë dhimbje, po ashtu edhe një destabilitet siç e kemi pasur në kualifikimet e kaluara. Prandaj, është i domosdoshëm trepikëshi në radhë të parë me Rumaninë, pastaj me Bjellorusinë në Budapest është histori tjetër”, ka deklaruar Muriqi. Kosova në dy ndeshjet e zhvilluara në këto kualifikuese ka grumbulluar gjashtë pikë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka…