Kosova sonte luan ndaj Islandës në ‘play-off’ të Ligës së Kombeve

20 mars 2025 | 11:21

Kombëtarja e Kosovës do të rikthehet sot në aksion për ta zhvilluar ndeshjen e “play-off”-it të Ligës së Kombeve ndaj Islandës.

“Dardanët” janë grumbulluar që nga e hëna nën urdhrat e trajnerit Franco Foda, ndërsa janë të gatshëm për duelin e sotëm.

Me disa mungesa, sidomos ajo e Edon Zhegrovës, Verdhekaltrit synojnë ta sigurojnë një avantazh ndaj islandezëve në shtëpi para ndeshjes së dytë, e cila do të luhet të dielën mbrëma në Murcia të Spanjës.

Selektori Foda i ka parë gjasat 50 me 50, por nuk e ka fshehur dëshirën për të dalë triumfues ndaj islandezëve, për ta siguruar në këtë rast eventualisht ngritjen në Ligën B të Ligës së Kombeve nga edicioni i ardhshëm.

Nga ana tjetër, edhe islandezët kanë ardhur në tokën “Dardane” me ambicien e qartë për të dalë fitues.

Vedat Muriqi me shokë do të llogarisin edhe në mbështetjen e tifozëve të zjarrtë kosovarë, të cilët gjithmonë i kanë qëndruar prapa ekipit.

Ndeshja mes Kosovës dhe Islandës do të luhet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë duke filluar nga ora 20:45.

Këto dy ndeshje, por edhe miqësoret e qershorit do të jenë një pasqyrë për trajnerin Foda për ekipin që do ta ndërtojë për kualifikimet e Kupës së Botës 2026, të cilat Kosova do t’i nisë në muajin shtator.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet turke i kanë arrestuar 37 njerëz për shkak të…