Kosova sonte në “Fadil Vokrri” kërkon fitoren e parë kundër Izraelit
Kombëtarja e Kosovës është grumbulluar për ndeshjet e muajit nëntor. Në program janë tri ndeshje për t’u zhvilluar. E para do të zhvillohet sonte në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ përballë Izraelit.
“Dardanët” do të luajnë në praninë e tifozëve sfidën e tetë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian ‘Euro 2024’. Në fakt, kjo është ndeshja e katërt e Kosovës në ‘Fadil Vokrri’, por që nuk e ka shijuar ende fitoren pasi ka vetëm tri barazime.
Nga ana tjetër mysafirët janë ende në garë për kualifikim dhe kërkojnë fitore për t’i shtuar edhe më shumë gjasat për një gjë të tillë. Kjo ndeshje ka qenë e paraparë të zhvillohet në muajin e kaluar, por është shtyrë nga UEFA për shkak të luftës që është duke u zhvilluar në Izrael.
Gjithsesi masat e sigurisë janë në maksimum për këtë sfidë e cila do të zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në Prishtinë.