Kosova sonte përballet me Qipron, Foda dhe Zhegrova: Synojmë fitore
Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda dhe futbollisti Edon Zhegrova kanë dalë para medieve një ditë para ndeshjes me Qipron, e cila zhvillohet sonte (e martë) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Dardanët” shënuan fitore ndaj Lituanisë ditë më parë dhe tash synojnë trepikëshin e dytë në mënyrë që ta vazhdojnë garën për vendin e parë në grup.
Përzgjedhësi Foda ka thënë se nuk është i kënaqur me vendin e dytë dhe se do të luftojnë të jenë të parët. “Kundër Lituanisë kemi treguar se jemi ekip i mirë dhe luajmë si një ekip. Më e rëndësishmja është se luajmë së bashku me shumë energji. Kemi mundur të shënojmë më shumë gola. Personalisht nuk jam i kënaqur me vendin e dytë. Duhet të synojmë më lart dhe të luftojmë për vendin e parë në grup”, ka thënë Foda, i cili më pas ka bërë me dije se Valon Berisha do të jetë në dyshim për këtë ndeshje, kurse Elvis Rexhbeçaj mungon.
Për Aro Muriqin nuk ka dhënë hollësi se a do të jetë në portë apo jo.
“Aro Muriqi është dashur të zëvendësohet për shkak se ka qenë i lënduar, prandaj e kemi zgjedhur Amir Saipin. Aro Muriq dje ka stërvitur me të tjerët dhe do ta shohim në vijim se a do të jetë 100 për qind gati për ekipin. Rexhbeçaj është i suspenduar, teksa Valon Berisha është në dyshim”, ka deklaruar Foda.
Optimizëm para kësaj ndeshje ka shprehur edhe ylli i Kosovës, Edon Zhegrova, që realizoi në ndeshjen e fundit golin e parë ndaj Lituanisë. Ai ka premtuar maksimumin për ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në mënyrë që të arrihet fitorja. “Jo, presion nuk kam. Sa herë që vij të luaj për Kosovën, vij me zemër. Ndaj Rumanisë kemi luajtur mirë, por është dashur të bëhet më shumë. Për ndeshjen e nesërme jemi gati dhe do të japim maksimumin për ta marrë një fitore të re. Jam gati ta bart barrën e ekipit”, ka thënë Zhegrova.
“Dardanët” kanë zhvilluar edhe stërvitjen e fundit të hënën pasdite, derisa sot (e martë) përballen me Qipron me fillim nga ora 20:45.
/Epoka e re/