Kosova sonte përballet me Zvicrën e shqiptarëve  

09 shtator 2023 | 10:35

Kosovë-Zvicër është me shumë se një ndeshje futbolli, ani pse të dy ekipet kërkojnë pikët që janë të vlefshme për kualifikueset e Evropianit.

Ndeshja që zhvillohet sonte (e shtunë) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për shumë kënd është edhe si një ndeshje “vëllazërore” pasi shumë lojtarë në Përfaqësuesen e Kosovës kanë lindur dhe janë rritur në Zvicër, derisa në ekipin zviceran janë katër shqiptarë në mesin e tyre edhe kapiteni Granit Xhaka.

Përzgjedhësi Kosovës, Primozh Gliha dhe kapiteni Amir Rrahmani në konferencën për medie një ditë para ndeshjes janë shprehur të vetëdijshëm për kualitetin e lartë që ka ekipi zviceran, por kanë premtuar se ekipi dardan do të japë maksimumin.

“Nëse dëshiron të kesh sukses, gjithmonë duhet të jesh në gjendje të punosh nën presion dhe ta përballosh atë. Nëse doni alibi, atëherë mund të thuash se kishte presion. Në futboll duhet të kemi mendime pozitive dhe të marrim maksimumin në secilën ndeshje”, ka thënë Gliha, i cili me pas ka shtuar se gjatë këtyre pesë ditëve të grumbullimit kanë punuar mirë dhe janë munduar të gjejnë zgjidhjet e duhura për ta përballuar kundërshtarin. Sa i përket mundësisë që në formacion të ketë ndonjë befasi dhe inkuadrim të lojtarëve të rinj si Albion Rrahmani e Meriton Korenica, Gliha është shprehur: “Ata janë të ri, por janë të mirë dhe kjo është e rëndësishme. Përgjegjësia është shumë e madhe për ta në një ndeshje ndaj një kundërshtari të fortë si Zvicra. Të shohim cilat do të jenë vendimet, kemi disa probleme me lëndime. Nuk mund të flasë më shumë rreth formacionit, por mund të them se do të jetë e vështirë për të gjithë ata që do të luajnë”.

Ndërkaq, kapiteni Amir Rrahmani që aktivizohet në Itali me Napolin, ka thënë se Zvicra është një kundërshtar shumë i fortë. “Luajmë kundër më të fortit në grup dhe këtë ndeshje e mirëprisnim, ndonëse jo në këtë moment, pasi kemi shumë nevojë për pikë. Megjithatë jemi të përgatitur për të bërë më të mirën në fushë”, ka thënë Rrahmani.

“Zvicra është një kombëtare shumë e fortë dhe shkon gjithmonë në Evropian apo Botëror. Janë shumë të fortë dhe bëhen edhe më të fortë me futbollistët shqiptarë që kanë në grup”, ka deklaruar Rrahmani. Për ndeshjen ndaj Kosovës ka folur edhe shqiptari Granit Xhaka, i vlerësoi ndeshjen ndaj Kosovës si shumë të veçantë dhe emocionuese.

“Një lojë e veçantë, për mua dhe familjen. Jam shumë i kënaqur që jam këtu. Nesër ndeshja do të jetë më shumë emocione. E njohim mirë Kosovën dhe lojtarët. Jemi përgatitur shumë mirë si gjithmonë. Nesër duhet me e tregu vetën në fushë. Ju e dini se unë ndihna si në shtëpi këtu, edhe familja ime. Ndihem krenar që jam sot këtu. Shpresoj që nesër, edhe pse me fanellë tjetër, ju bëjë edhe juve të lumtur. Babai im dhe xhaxhai im, i cili jeton këtu, do jenë nesër në stadium. Do të jenë edhe anëtarë të tjerë të familjes”, ka thënë Xhaka.

Në pyetjen nëse do të pranonte që ndeshja të mbyllej baras, Xhaka duke qeshur ka deklaruar: “S’ka përgjigje”. Ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës do të zhvillohet nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nancy Pelosi, ish-udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan,…