Kosova, synime të mëdha në Kampionatin Evropian
Përfaqësuesja e Kosovës U18 në basketboll po synon të dalë e para në FIBA U18 Kampionatin Evropian, Divizionin C, që do të mbahet në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik 2018. “Jam optimist se Kosova do të triumfoj në këtë kampionat dhe që nga viti 2019 do të luaj në një rang më të lartë, pra në Divizionin B”, ka thënë Ibrahim Karabeg.
Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, ka thënë të martën se gjithçka është gati për FIBA U18 Kampionatin Evropian, Divizioni C, që do të mbahet në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik 2018. Sipas Dushkut, tash pritet të arrijnë zyrtarët e FIBA-s dhe ekipeve pjesëmarrëse. “Të gjitha përgatitjet janë bërë në koordinim me FIBA-n, e cila deri më tani është shumë e kënaqur me angazhimin dhe punën e bërë nga FBK-ja. Të dielën në orën 18:45 do të bëhet hapja solemne e kësaj ngjarje, ndërsa në orën 19:30 Kosova do të përballet me San Marinon, ku me këtë rast ftojmë të gjithë dashamirët e basketbollit të jenë në numër sa më të madh për t’i përkrahur djelmoshat tanë, në mënyrë që të fillojmë me këmbë të mbarë Kampionatin”, ka thënë Dushku në një konferencë për medie. Ndërsa përzgjedhësi i Kosovës U18, Ibrahim Karabeg, ka bërë me dije se përgatitjet për këtë kampionat kanë filluar para një muaji e gjysmë dhe gjithçka po shkon sipas planprogramit. “Jam optimist se Kosova do të triumfojë në këtë Kampionat dhe që nga viti 2019 do të luaj në një rang më të lartë, pra në Divizionin B”, ka thënë Karabeg.
Basketbollisti Meriton Ismaili është i lumtur që U18-shat do të marrin pjesë në garat ndërkombëtare, kurse ka shprehur optimizëm se Kosova do të dalë kampione në Divizionin C. “Pjesëmarrja në gara ndërkombëtare do të thotë shumë, sepse e rrisim nivelin e lojës. Ne premtojmë se do ta japim maksimumin në çdo ndeshje për të fituar dhe për t’u shpallur kampionë i Divizionit C”, ka thënë Ismaili, i cili ka kërkuar përkrahje maksimale nga shikuesit për të arritur deri te ky sukses.
Pjesëmarrëse në FIBA U18 të Kampionatit Evropian, Divizionin C, i cili do të mbahet në Prishtinë, janë nëntë shtete. Në Grupin A bëjnë pjesë: Moldavia, Armenia, Irlanda, Malta dhe Monako, kurse në grupin B: Qiproja, San Marino, Kosova dhe Gjibraltari.
Lista e basketbollistëve
Meriton Ismaili, Dardan Kapiti, Engjull Sollova, Arbër Sinani, Drin Krasniqi, Mendrit Ademi, Erhan Sholla, Rron Uka, Valdrin Kastrati, Idoll Pallushi, Gazzali Maksaqi, Rilind Krasniqi, Leon Neziri, Veton Jetullahu, Rinor Emerullahu, Baton Dervishi.
/Veton ZYMBERI/