Kosova synon fillim të mbarë në Eskishehir
Ishte 6 nëntori i vitit 2016 kur përfaqësuesja e Kosovës në hendboll e fitoi pikën e parë në ndeshjet zyrtare kualifikuese. Ishte faza e parë kualifikuese për “Euro 2020”, ndërsa në Prishtinë Kosova u takua me Turqinë.
Ndeshja kishte fund dramatik, ndërsa përfundoi 24:24. Kosova deri atëherë nuk kishte pikë të fituara sa iu takon ndeshjeve kualifikuese. Kapiteni aktual, Valon Dedaj, kishte realizuar penallti në fund për barazimin me Turqinë në Prishtinë. Më pas rritja e “dardanëve” ka qenë graduale, por e pandalshme. Erdhi fitorja ndaj Izraelit dhe barazimi pa fat me Poloninë. Paraqitja solide ndaj Gjermanisë, barazimi me Italinë dhe fitorja bindëse me Gjeorgjinë. Rritja vazhdoi me fitoren dhe barazimin me Rumaninë dhe ndeshjet e mira me Malin e Zi.
Tani është koha për të nisur një cikël të ri kualifikues, atë për Botërorin 2023. Synimi është i qartë, një prej dy vendeve të para në grup dhe avancimi tutje. Grumbullimi bëhet të premten, ndërsa ndeshjen e parë Kosova e zhvillon të mërkurën e ardhshme, kurse sërish kundërshtare është Turqia.
Këtë herë në Eskishehir. Synime të Kosovës janë pikët për ta hapur rrugën drejt fazës tjetër. Të dielën më 7 nëntor zhvillohet ndeshja tjetër në Prishtinë ndaj Belgjikës. Ndeshjet e tjera, duke përfshirë dy me Greqinë, Kosova i zhvillon në janar.