Kosova synon fitore ndaj Maqedonisë së Veriut

31 tetor 2023 | 10:47

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave është gati për ndeshjen e radhës me Maqedoninë e Veriut në kuadër të Ligës së Kombeve e cila zhvillohet sot (e martë) nga ora 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Futbollistet “dardane” e kanë zhvilluar të hënën stërvitjen e fundit para kësaj ndeshje shumë të rëndësishme.

Futbollistja Lumbardha Misini ka thënë se pas fitores në ndeshjen e parë futbollistet “dardane” janë të motivuara për të arritur fitore edhe në ndeshjen e dytë ndaj Maqedonisë së Veriut. “Stërvitjet kanë shkuar shumë mirë. E kemi fituar ndeshjen e parë kundër Maqedonisë, tash e kemi ndeshjen e dytë që është shumë e rëndësishme. Ne jemi munduar të përgatitemi sa më mirë dhe normalisht e duhet të qëndrojmë më këmbë në tokë dhe besojmë se do të nxjerrim një rezultat shumë të mirë. Nëse fitojmë edhe ndeshjen e dytë ndaj Maqedonisë do të kemi mundësinë që ta zhvillojmë finalen në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ kundër Bullgarisë dhe të dalim liderë të grupit. Është hera e parë që mbahet një kompeticion i tillë për vajza dhe me një përkrahje nga tifozët ‘dardanë’, familjarët dhe shikuesit e tjerë do të kishim një motiv më të madh për fitore”, ka thënë ajo.

Optimizëm për fitore ka shprehur edhe futbollistja tjetër e Kosovës, Blerta Smaili, e cila konfirmon se atmosfera është e mirë në kampion e “dardaneve” dhe se fitorja është opsioni i vetëm në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Normalisht se pas fitores jemi më pozitivë, përfshi edhe atmosferën në ekip. Jemi maksimalisht të përgatitur dhe koncentruar për lojën që do nuk do të jetë aspak e lehtë. Tash na njohin kundërshtaret dhe duhet të japim më shumë se në lojën e parë dhe nëse i bëjmë këto gjërat që i kemi ushtruar deri tash, do të jemi shumë mirë. Qëllimi është të shkojmë më tutje dhe duhet të fitojmë në çdo ndeshje. Jemi të lumtur se mund të luajmë në ‘Fadil Vokrri’. Shpresojmë se do të kemi sa më shumë shikues që të motivohemi për fitore”, ka deklaruar Smaili.

Për ndeshjen është demarkuar edhe përzgjedhja e Kosovës, Anneli Andersen, e cila ka deklaruar se Kosova pati paraqitje të mirë ndaj Maqedonisë së Veriut në udhëtim dhe gjatë këtyre ditëve përgatitjet janë bërë në mënyrën më të mirë të mundshme që një paraqitje të tillë ta bëjnë edhe si vendase.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre astronautë janë kthyer në Tokë pas gjashtë muajsh në…