Kosova synon fitore ndaj Rumanisë
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të enjten ka përfunduar stërvitjen e fundit para ndeshjes ndaj Rumanisë, e cila zhvillohet sonte (e premte) nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Lajm i mirë për “dardanët” është fakti se të gjithë futbollistët janë në formë të mirë dhe të gatshëm për ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve për këtë edicion.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda është shprehur optimist para ndeshjes ndaj rumunëve, duke thënë “Kemi pasur disa ndeshje jashtë vendit, por tani është koha për të luajtur në shtëpi. Ekipi është përgatitur mirë dhe kemi shumë alternativa për ta nisur mbarë Ligën e Kombeve. Rumania është një ekip i fortë, por e kemi studiuar mirë dhe e dimë se si sulmojnë e si mbrohen, andaj jam i bindur se do të fitojmë”, ka thënë Foda, i cili nuk e la pa kritikuar fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”.
“Për herë të parë do të luajmë edhe ne në fushën e re, por me aq sa pash, fusha nuk është në gjendje perfekte, por çfarë mund të them është se luajmë në shtëpi dhe na nevojitet përkrahja e madhe nga publiku”, ka shtuar ai. Ndërsa sulmuesi kryesor i Kosovës, Vedat Muriqi ka kërkuar hakmarrje ndaj Rumanisë. “Jemi shumë optimistë dhe kemi bërë përgatitje maksimale. E njohim mirë Rumaninë dhe besojmë shumë në hakmarrje, por brenda vijave të fushës. Ne nuk ia bëjmë atyre, siç na bën ata neve në Rumani. Nëse fitojmë tre pikët, do të jetë goditje më e madhe për ta”, tha Muriqi. Sulmuesi i Mallorcas foli edhe për konkurrencën në ekipin përfaqesues të Kosovës, duke u shprehur se është mjaftë i lumtur se konkurrenca po rritet.
“Konkurrenca në sulm është shumë e madhe, por nuk ndihem aspak i rrezikuar. Më vjen mirë që Kosova ka aq shumë sulmues cilësorë. Jam shumë i lumtur kur i shoh lojtarë kaq cilësorë që do të luajnë për Kosovën edhe për shumë vite në vazhdim. Po ashtu lumturohen kur i shoh që po rriten e po zhvillohen së bashku me ne”, ka deklaruar Muriqi.
Trajneri i Rumanisë: Nuk pres incidente
Trajneri i ri i Rumanisë, Mircea Lucescu foli në konferencë për medie para ndeshjes ndaj Kosovës. Ai u shpreh se ekipi që ai drejton tashmë ka fituar një përvojë të madhe me paraqitjen në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”.
“Është një ekip pak më ndryshe që nga hera e kaluar kur ishte këtu (për në Prishtinë). Rumania ka fituar më shumë përvojë që nga ajo kohë, pasi luajti edhe në Kampionatin Evropian të këtij viti. Është një ekip tejet i motivuar dhe një ekip që është i gatshëm të jap gjithçka nga vetja për të kaluar në një nivel tjetër”, ka thënë ai. Lucescu, 79-vjeçar, foli edhe për atmosferën e mundshme që do t’i presë ata në “Fadil Vokrri”. “Unë pres një atmosferë sportive. Ndeshja do të luhet në fushë. Nuk pres të ketë incidente, do të jetë 100% fair-play”, ka thënë trajneri rumun.