Kosova synon fitore në ‘finalen’ ndaj Rumanisë
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte (e premte) e zhvillon ndeshjen kryesore në Ligën e Kombeve. “Dardanët”, që arritën të enjten në Bukuresht, do të përballen me Rumaninë nga e cila ndeshje presin fitore me rezultat bindës në mënyrë që të mbesin në garë për vendin e parë në grup.
Përzgjedhësi Franco Foda ka thënë se duhet ta fitojë ndeshjen për faktin se vendi i parë është ende i mundshëm. “Detyra ime është ta përgatis ekipin. Vitin e kaluar nuk kam qenë trajner, por kemi parë respekt nga ekipet kombëtare edhe në kampionatin evropian, andaj pres respekt edhe nga Rumania”, ka thënë Foda.
“Vendi i parë akoma është i mundshëm, por për ta arritur këtë duhet ta fitojmë ndeshjen me Rumaninë. Në tri ndeshjet e fundit kemi treguar lojë të mirë. Jam përgjithësisht i kënaqur, por jo edhe tepër i kënaqur, sepse është dashur të përmirësohemi dhe të shënojmë më shumë gola. Për shkak të lëndimeve duhet t’i bëjmë disa përshtatje në ekip, por nisemi me vetëbesim dhe energji shumë pozitive në Rumani. Jemi të gatshëm dhe dëshirojmë të fitojmë. Pastaj, mbetet të shihet në ndeshjet e fundit se kush do të jetë në pozitën e parë në grup”, ka shtuar Foda, i cili ka paralajmëruar se “dardanët” edhe në këtë ndeshje do të luajnë futboll ofensiv. “Përgjithësisht do të jemi ofensivë. Duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha fazat e lojës. Kundër Rumanisë në ndeshjen e parë nuk kemi pasur fat. Në momentet e vështira kemi pësuar gol. Parimisht do të luajmë si në shtëpi si jashtë, pra me lojë ofensive”, ka shtuar Foda.
Për ndeshjen ndaj Kosovës ka folur trajneri i Rumanisë i Kombëtares së Rumanisë, Mircea Lucescu, i cili ka theksuar se Kosova ka disa lojtarë të rëndësishëm në ekip, ku me theks të veçantë ka folur për Edon Zhegrovën, i cili, sipas tij, është i jashtëzakonshëm. “Zhegrova është lojtar i jashtëzakonshëm nëse i lejohet të luajë. E mbyllëm mirë në Prishtinë. Në Evropë, në kampionat, ku i lejohet të luajë, është vendimtar. Kosova ka 3-4 lojtarë të rëndësishëm aty. Rrahmani, Berisha, Muriqi dhe Zhegrova janë më të rëndësishmit”, ka thënë Lucescu. “Shpresoj të mos bëni shaka me Kosovën. Kosova është një ekip i madh që mund të fitojë kundër çdo skuadre. Fakti që nuk arritën të bënin një grup të fortë, nuk do të thotë se nuk janë një ekip i rëndësishëm. Nuk ka më një gjë të tillë, vetëm ne e imagjinojmë…”, ka shtuar Lucescu.
/Epoka e re/