Kosova synon kualifikimin në Evropianin U22 në volejboll
Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Kampionatin Ballkanit të Baech Volley, ku Kosova u shpall kampione në konkurrencën e femrave si dhe nënkampione në atë të meshkujve, Federata e Volejbollit po kërkon një tjetër sukses në garat evropiane, kësaj radhe në Kampionatin Evropian të Volejbollit për grupmoshat U22 në konkurrencën e femrave.
Ky Evropian do të zhvillohet në Republikën e Çekisë dhe do të nisë më 22 korrik. Sekretari i kësaj federate, Valon Nikqi, ka thënë për “KosovaPress” se vajzat kanë bërë përgatitjet e duhura dhe janë në formë shumë të mirë para këtij kampionati.
“I kemi filluar përgatitjet për ditë me radhë. Përgatitje janë duke shkuar mjaft mirë. Kampi i kombëtares U22 në konkurrencën e femrave është duke i bërë përgatitjet në qytetin e Skenderajt dhe është duke kaluar mjaft mirë. Për shkak të aktiviteteve të tjera që janë gërshetuar, disa lojtare kanë qenë edhe pjesë e kombëtares U19, mirëpo edhe disa aktivitete të ‘beach volley’, ka pasur herë pas here mungesa, mirëpo ne dje e kemi vizituar kampin së bashku edhe me kryetarin dhe përgatitjet janë duke shkuar mjaft mirë”, ka thënë Nikqi.
Në grup me Kosovën janë kombëtare të forta si Turqia, Austria dhe Çekia por, përkundër kësaj, Nikqi është i bindur se Kosova do të ketë rezultate të mira në këtë kampionat.
“Sa i përket grupit, grupi është mjaft i fortë, kemi të bëjmë me kombëtare mjaft të forta siç është kombëtarja e Turqisë, kombëtarja e Çekisë e cila është edhe nikoqire e turneut, gjithashtu edhe Austria është një kombëtare në rritje, kështu që nuk do të jetë aspak e lehtë, mirëpo me siguri që kombëtarja jonë do të udhëtojë atje dhe do të synojë rezultate sa më pozitive edhe pse përballë do të kemi kombëtare mjaft të forta”, ka deklaruar Nikqi, i cili ka shtuar se gjatë këtij viti Kosova do të marrë pjesë edhe në shumë gara ndërkombëtare me grupmosha të ndryshme dhe se qëllimi i të gjitha këtyre aktiviteteve është që Kosova të përfaqësohet denjësisht edhe në sportin e volejbollit.