Kosova synon medalje në Izrael
Kosova synon ta rrisë numrin e medaljeve në xhudo në Grand Slamin e Tel Avivit gjatë kësaj jave.
Majlinda Kelmendi, Laura Falziu dhe Akil Gjakova do ta përfaqësojnë Kosovën në Grand Slamin e Izraelit nesër (e enjte) dhe pasnesër (e premte). Synimi i ekipit të Kosovës në xhudo është ta përsërisë suksesin e muajit të kaluar, kur i fitoi katër medalje në Mastersin e Dohas.
Kampionia e artë olimpike, Kelmendi, do ta kalojë rrethin e parë pa luftë në kategorinë 52 kilogramë, ndërsa në rundin e dytë do të përballet me fituesin e duelit Annika Wurfel – Agata Perenc. Fazliu, ndërkohë, do të ballafaqohet me Habibe Afyonlu e Turqisë në rrethin e parë në kategorinë 63 kilogramë.
Gjakova do të ketë punë me Joao Fernandon e Portugalisë në rrethin e parë në kategorinë 73 kilogramë. Në këtë turne nuk do të marrin pjesë Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Loriana Kuka. Në Mastersin e Dohas në janar, Krasniqi e fitoi medaljen e artë, ndërsa Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Loriana Kuka fituan medalje të bronzta secila.