Kosova synon ta nisë edicionin me fitore

03 shtator 2020 | 11:49

Sonte (e enjte) Kosova e fillon edicionin e ri në Ligën e Kombeve. Ajo do të përballet me Moldavinë në Itali. Synim i “dardanëve” është që ta fitojnë ndeshjen e parë, e cila fillon në orën 20:45. Kosova pas tri ditësh përballet edhe me Greqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të martën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” e ka mbajtur stërvitjen e fundit në Kosovë, kurse të mërkurën paradite ka pranuar rezultatet e bëra për Covid-19. Lajmi i mirë ishte se e gjithë ekspedita e “dardanëve” ka rezultuar negativ, ku më pas Përfaqësuesja ka udhëtuar drejt Italisë, kurse të mërkurën në Parma, Kosova e zhvilloi ndeshjen.

Sot (e enjte), Kosova, e drejtuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes, e zhvillon ndeshjen e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve në kuadër të grupit 3 të Ligës C kundër Moldavisë. Trajneri zviceran në stërviten e fundit punoi në lojën në hapësira të ngushta dhe në lojën sulmuese, por edhe në skema të ndryshme taktike. Mesfushori Anel Rashkaj, që ishte në listën rezervë dhe u ftua pas problemeve për grumbullimin e lojtarëve, ka thënë se futbollistët do ta japin maksimumin për të marrë rezultat pozitiv. Ai e ka pranuar se kjo situatë nuk është aspak e lehtë, por ndihet i lumtur që sërish është pjesë e “dardanëve”.

“Ka kaluar një kohë e gjatë që nuk jemi mbledhur në Përfaqësuese shkaku i pandemisë. Është kënaqësi që jemi mbledhur prapë me lojtarët dhe trajnerët. Është një situatë e vështirë jo vetëm për ne, por për të gjitha kombëtaret në futboll. Kemi probleme me klube që nuk na lejojnë lojtarët”, ka deklaruar Rashkaj. “Në këtë situatë që jemi do ta bëjmë maksimumin dhe presim të paraqitemi sa më mirë, së pari të koncentrohemi në ndeshjen me Moldavinë, pastaj për ndeshjen këtu në Prishtinë kundër Greqisë. Shpresoj të japim maksimumin dhe ta marrim rezultatin pozitiv”, ka shtuar Rashkaj.

Ndërsa trajneri Bernard Challandes i sheh dy ndeshjet e shtatorit si përgatitje për ndeshjen gjysmëfinale ndaj Maqedonisë së Veriut. Ai ka thënë se Kosova ka bërë përparim në Ligën e Kombeve dhe se lojtarët duhet ta rinisin përparimin e tyre për ekipin përfaqësues. “Situata nuk është e lehtë dhe nuk është e tillë vetëm për ne. Kemi lojtarë të kampionateve të ndryshme për të cilët nuk do të jetë e lehtë. Duhet të adaptohen. Sa i përket Ligës së Kombeve, nuk është e njëjtë si ajo para Evropianit. Qëllimi ynë është që të rritemi përmes Ligës së Kombeve dhe këto ndeshje do të jenë përgatitje për barazhin me Maqedoninë e Veriut. Ne kemi bërë përparim në këtë ligë dhe unë do të kërkoj nga lojtarët që ta rrisim përparimin edhe ndaj këtyre kombëtareve. Lojtarët duhet të japin më të mirën për kombëtaren”, ka deklaruar Challandes.

Ndeshja në mes të Moldavisë dhe Kosovës zhvillohet sonte nga ora 20:45.

(V.Z / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Shtetit ka bërë me dije se gjatë 24…