Kosova synon të marrë pjesë përsëri në gara në Beograd, serbët kanë frikë të flasin

01 mars 2022 | 16:27

Pak javë më parë, sportistët e Kosovës morën pjesë për herë të parë në histori në një garë ndërkombëtare të mbajtur në Serbi, si garues të shtetit të Kosovës. Atletët e rinj e përfaqësuan Kosovën në Kampionatin Ballkanik për të rinj.

Ky fakt çoi pluhur më pas në Serbi dhe tifozët shfaqën parulla në tribuna duke i quajtur tradhtarë ata që i lanë garuesit kosovarë të marrin pjesë në territorin e tyre. Por, kjo nuk është e tëra. Në të ardhmen pritet të mbahen edhe gara të tjera ndërkombëtare në shtetin fqinj. Dhe, serbët po frikësohen të deklarohen nëse do të lejohen apo jo garuesit nga Kosova të marrin pjesë në këto kompeticione. Në muajt në vijim Serbia do të jetë nikoqire e Kampionatit Botëror të Atletikës në salla, e Kampionatit Evropian të Pingpongut për të rinj dhe e Kampionatit Botëror të Mundjes. Edhe në këto kompeticione, Kosova synon të marrë pjesë, njëjtë siç bëri në atletikë.

Nga Federata e Atletikës së Serbisë thonë se Kampionati Ballkanik i të rijnve ka shkuar qe një kohë dhe se nuk duan ta komentojnë pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në atë garë. Ndërkaq, drejtuesit e kësaj Federate mohojnë të flasin nëse atletët e Kosovës do të jenë prezentë në Kampionatin Botëror të ardhshëm që do të mbahet në Beograd. “Ju interesojnë vetëm gjërat e zeza, nuk dua të flas për këtë temë, nuk është e nivelit tim”, deklaroi për BBC në gjuhën serbe, Slobodan Brankoviç, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Atletikës së Serbisë. Ndërkaq, Milan Jeliq, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Mundjes së Serbisë i ka thënë BBC-së se nuk e ka “asnjë informacion apo njoftim” për pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës. Ndërsa, Federata e Pingpongut nuk është përgjigj derisa është publikuar teksti në fjalë. Marrëdhëniet e ndërlikuara politike mes Beogradit dhe Prishtinës janë reflektuar në terrenet sportive me vite të tëra, raporton GE.

Në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd, që u mbajt pak muaj më parë, nuk u lejuan të merrnin pjesë boksierët nga Kosova. Situata të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën, kur sportistët kosovarë janë diskriminuar. Por, kohëve të fundit, instancat më të larta të sportit botëror i kanë kërcënuar vendet si Serbia që, në rast se nuk i trajtojnë të barabartë dhe të njëjtë të gjithë sportistët, do t’ju hiqet e drejta e organizimit të garave ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Kosova viteve të fundit nuk i ka lejuar klubin e basketbollit Partizani dhe atë të futbollit Crvena Zvezda të futeshin në territorin e Kosovës pasi nuk kishin marrë leje për një gjë të tillë.

Tensione ka pasur edhe para ndeshjes së junioreve të Serbisë dhe Kosovës në hendboll për femra, e cila përfundimisht u anulua.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot…