Kosova ta shkruajë monografinë për masakrën e Reçakut

10 dhjetor 2021 | 18:13

Shkruan: Berat Dakaj

Sot, si javë, muaj dhe vite më parë, Serbia, nëpërmjet Aleksandër Vulinit dhe shokëve të tij të Qeverisë së Serbisë, provoi ta mohojë masakrën e Reçakut, në të cilin fshat ushtria dhe milicia serbe vranë, prenë, grinë, gra dhe burra, fëmijë dhe foshnja, vajza dhe djem, pleq dhe plaka. Shtypën dhe korrën dhe i bënë tokë të zezë dhe i shtrinë përtokë të gjithë ata që flisnin shqip në atë janar të ftohtë. Këtij mohuesi të krimeve serbe sot iu përgjigj Bashkimi Evropian. I shkroi një fjali më të gjatë se kjo: “Serbia nuk mund ta mohojë masakrën e Reçakut”. Absolutisht jo. Bashkimi Evropian, ndër të tjera, i bëri me dije atij dhe shumë mohuesve të krimeve serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, se “masakra e Reçakut është e dokumentuar mirë dhe nuk mund të mohohet nga askush”. Është dokumentuar në faqe të shtypit shqiptar dhe të huaj dhe në ekrane të televizioneve e të medieve elektronike shqiptare e më shumë në të huaja.

Por, sa ka pasur mundësi të bëhet e të shkruhet për këtë masakër, s’është bërë. Prandaj, Qeveria e Republikës së Kosovës (zyra e kryeministrit), bashkë me Ministrinë e Kulturës së Kosovës, edhe me Presidencën përkrah, duhet ta formojnë një ekip hulumtuesish dhe ta detyrojnë Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (se kush më shumë se kjo agjenci nuk ka detyrim ligjor ta bëjë këtë punë), që deri në janarin e 2023-s, në përvjetorin e masakrës së Reçakut, ta përgatitë dhe ta botojë monografinë për masakrën e Reçakut.

Për ta përgatitur këtë monografi duhet një grup i hulumtuesve, i përbërë nga gazetarë, publicistë, shkrimtarë, historianë; më e mira punë do të bëhej me ish-gazetarë të luftës, të cilët duhet t’u hyjnë një për një arkivave të shtypit vendor dhe të huaj dhe të trokasin në dyert e shtëpive të atyre familjarëve që e kanë përjetuar këtë masakër e që kanë mbetur gjallë, në dyert e atyre dëshmitarëve të masakrës së Reçakut, në dyert e atyre familjarëve të viktimave shqiptare të masakrës së Reçakut. Duhet të mblidhen dëshmi të shumta dhe monografia për masakrën e Reçakut, përpara se të shtypet, të ilustrohet me fotografi, të bëhen edhe incizime me kamerë me të intervistuarit (dëshmitarët dhe përjetuesit) dhe libri të pajiset me cd (me pamje, me zëra dhe me titra në dy-tri gjuhë), ashtu sikurse libri që duhet të përkthehet në gjuhën angleze, franceze dhe serbe dhe të shpërndahen nëpër vende të botës edhe ekzemplarët fizikë, edhe ai elektronik.

Kryeministër Albin Kurti dhe ministër Hajrulla Çeku, edhe Shkëlqesia Juaj, zonja presidente Vjosa Osmani, bëjeni këtë punë sa më parë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moderatorja Bora Zemani dhe autorja Olsa Muhameti pritet t’i japin…