Kosova do të bashkëpunojë me Britaninë në adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, priti në një takim pune në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Përfaqësuesin Special të Kryeministres britanike për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte njëherësh Ministër i Shtetit për Komonuelth dhe Kombe të Bashkuara, Lordin Ahmad, me ekipin e tij.
Sipas njoftimit nga MPJ, takimi ishte rezultat i diskutimeve të mëhershme në margjina të Samitit të Londrës, ndërsa u diskutua mbi mbarëvajtjen e deritanishme të dialogut të nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë si dhe në thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe nismave të përbashkëta sa i përket viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe adresimit të kësaj çështje në nivel ndërkombëtarë.
“Dëshiroj të falënderojë fuqishëm Mbretërinë e Bashkuar për organizimin fantastik të Samitit të Londrës dhe temave që u diskutuan aty. Shpresoj që klima pozitive që mbretëroi në Londër të vazhdojë të dominojë agjendat e secilës Qeveri dhe secilit vend të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Pacolli.
Në vazhdim, numri dy i Qeverisë, Pacolli, i ka shprehur një mirënjohje të veçantë Lordit Ahmad dhe Qeverisë britanike për adresimin dhe trajtimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtarë, duke shprehur përkushtimin e plotë Institucional për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në mes dy vendeve në aktivitetet e tanishme dhe nismat e reja.