Kosova përfiton 10 milionë euro nga KE-ja për efiçencën e energjisë
Projektligji për efiçiencë të energjisë është hartuar duke marrë për bazë të gjitha standardet e Bashkimit Evropian (BE) në fushën e efiçiencës së energjisë dhe sjellë një numër të konsiderueshëm të risive krahasuar me legjislacionin që ka qenë në fuqi deri më tani.
Kështu ka deklaruar të martën ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë paraqitjes së ekspozesë për këtë projektligj para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.
Lluka ka thënë se projektligji vendos synimet e Republikës së Kosovës në përputhje me kërkesat e BE-së sa i përket efiçiencës së energjisë, përcakton strukturën dhe përmbajtjen e Planit kombëtar të veprimit për efiçiencën e energjisë dhe planeve komunale të veprimit për efiçiencën e energjisë si dokumente kryesore strategjike; përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e Agjencisë së Kosovës për efiçiencë si dhe politikave dhe objektivave tjera nacionale.
Gjithashtu, ministri Lluka ka nënvizuar se ky projektligj themelon Fondin e Kosovës për efiçiencën e energjisë, i cili do të shërbejë si një mekanizëm i qëndrueshëm, që do të ndihmojë në arritjen e caqeve të Republikës së Kosovës në fushën e Efiçiencës së Energjisë.
Ai ka thënë se ky fond do të investojë në projekte të efiçiencës, kryesisht në sektorin publik, ku sipas tij, do të synohet që investimet të kthehen përmes kursimit të energjisë.
“Dëshiroj të potencoj se ky projektligj është hartuar me ndihmën e Projektit të Mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe janë konsultuar të gjitha palët e interesit. Përveç kësaj, teksti i projektligjit është konsultuar edhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë dhe janë marrë për bazë vërejtjet dhe sugjerimet e ekspertëve ndërkombëtar të kësaj fushe”, ka thënë Lluka.
Sipas ministrit Lluka, Kosova do të përfitojë rreth 10 milionë euro nga Komisioni Evropian (KE) në formë granti me hyrjen në fuqi të këtij projektligji.
Ai ka thënë këto mjete do të implementohen nga Fondi i Kosovës për efiçiencën e energjisë.
Po ashtu, ai ka thënë se pjesë e rëndësishme e financimit të projekteve të efiçinecës përmes këtij fondi do të jetë edhe Banka Botërore, kontributi i tyre fillestar parashihet të jetë diku 5 milionë dollarë.
Duke vlerësuar projektligjin si mjaft të avancuar, konform standardeve të BE-së në fushën e efiçiencës së energjisë, ministri Lluka ka kërkuar nga anëtarët e komisionit parlamentar që të votojnë për miratimin e këtij projektligji.
Në këtë kontekst, Lluka ka thënë se MZhE-ja do të jetë e gatshme që në fazat e mëtejme të punojë me Komisionin Evropian për të shqyrtuar dhe plotësuar këtë projektligj gjatë trajtimit në Kuvendin e Kosovës.
/Epoka e re/