Kosova të përfshihet në Partneritetin për Paqe të NATO-s
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një konferencë për media pas përfundimit të Samitit të NATO-së që është mbajtur në Madrid të Spanjës.
Rama ka thënë se në Samit ka kërkuar që Kosova të përfshihet në Partneritetin për Paqe të NATO-s. Ai ka thënë se është e udhës që NATO të kuptojë që nuk është një kohë e zakonshme, dhe në këtë kohë të jashtëzakonshme duhet të merren edhe veprime të jashtëzakonshme në aspektin politik dhe të vendimmarrjes.
“Kërkuam që Kosova të përfshihet në Partneritetin për Paqe, gjë që i pararend anëtarësimit në NATO. Kemi dhënë besoj unë të gjithë argumentet përkatëse dhe është e udhës që gjithë aleanca të kuptojë se pavarësisht mosnjohjes së Kosovës nga disa prej vendeve, kjo nuk është një kohë e zakonshme dhe si një kohë e jashtëzakonshme kërkon edhe akte të jashtëzakonshme në aspektin politik dhe aspektin e vendimmarrjes”, ka thënë Rama në konferencë.
Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se këto fakte i ka theksuar fort dhe saktë, meqë Kosova ka treguar maturi si shtet në raport me detyrimet e saj ndaj familjes së madhe, edhe përkundër faktit që nuk njihet nga Ukraina.