Kosova të vendosë një linjë buxhetore për ta ndihmuar Luginën
Kryetari i Komunës së Bujanocit, njëherësh kryetar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, ka thënë se në Kosovë duhet të arrihet një konsensus për zgjidhjen e problemit të Luginës së Preshevës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se drejtuesit politikë të Luginës nuk dëshirojnë as të besojnë se kjo temë po eksploatohet për një luftë të brendshme politike në Kosovë.
“Ne jemi të interesuar që në Prishtinë të krijohet një konsensus politik për Luginën e Preshevës e kurrsesi që tema jonë të shërbejë si mollë sherri. Ne dëshirojmë të besojmë në motivet e sinqerta të gjithsecilit përfaqësues institucional dhe politik në Kosovë se për Luginën e Preshevës duhet gjetur zgjidhje”, është shprehur ai, duke shtuar se çështja e Luginës duhet të trajtohet në dialogun me Serbinë dhe të gjendet zgjidhje për të drejtat e shqiptarëve. “Në radhë të parë Kosova duhet të bëjë angazhim maksimal që çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e bisedave me Serbinë. Në këtë dialog duhet përkujtuar Serbisë se edhe ajo ka obligime ndaj shqiptarëve në këtë rajon të cilat po i nëpërkëmbë”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka shprehur optimizëm se Kuvendi i Kosovës në ditët në vazhdim do të marrë një vendim për t’i ndihmuar shqiptarët e Luginës dhe, sipas Kamberit, ky vendim duhet jetë i realizueshëm dhe të ketë efekt të drejtpërdrejtë në tri komunat shqiptare. “Respektivisht, në bazë të këtij akti duhet që Qeveria e Kosovës dhe ministritë përgjegjëse të zbatojnë pikë për pikë obligimet që dalin nga ky akt juridik”, ka thënë ai.
Lideri i PVD-së ka thënë se, pavarësisht prej raporteve komplekse që janë me Serbinë, ekzistojnë mjaft hapësira që duhen shfrytëzuar që ndihma e Kosovës për Luginën e Preshevës të jetë e drejtpërdrejtë dhe efikase.
Në këtë kontekst, Kamberi ka theksuar se shteti i Kosovës duhet të vendosë një linjë buxhetore për ta ndihmuar Luginën e Preshevës. “Veç të tjerash, realizimi i projekteve konkrete nga ministritë përkatëse mund të jetë një formë efikase e ndihmës që duhet adresuar për ne. Shembull i Ministrisë së Drejtësisë me projektin e rinovimit të një shkolle fillore dhe ai i Ministrisë së Financave duhet ndjekur edhe nga ministritë e tjera. Por, forma më e mirë do të ishte vendosja e një linjë buxhetore për Luginën e Preshevës. Aktivizimi i Fondit për Luginën si produkt i një vendimi të dy qeverive (Prishtinë e Tiranë) nga mbledhja e Prizrenit është mundësi në vete për ta ndihmuar Luginën e Preshevës”, është shprehur Kamberi.
“Epoka e re”: Z. Kamberi, si është gjendja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe cilat janë problemet kryesore me të cilat po ballafaqoheni aktualisht?
Kamberi: Në Luginë të Preshevës vazhdon diskriminimi shtetëror i Serbisë mbi të drejtat elementare të shqiptarëve. Përkundër tri marrëveshjeve të nënshkruara që kishin për qëllim përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, refuzimi i Beogradit për t’i implementuar po e mban këtë rajon në rrethana të jashtëzakonshme. Qeveria qendrore në vazhdimësi po injoron kërkesën e shqiptarëve për t’u integruar në institucionet shtetërore dhe publike, gjendje kjo e cila shqiptarët i mban në qytetarë të kategorisë së diskriminuar. Problemet në arsim, me mosnjohjen e diplomave, mungesa e teksteve shkollore, refuzimi i përdorimit zyrtar i gjuhës dhe shkrimit në punën e institucioneve shtetërore, ndalimi i përdorimit të simbolit kombëtar dhe pjesëmarrja joadekuate në strukturat e policisë dhe gjyqësorit, janë disa prej sfidave të cilat nuk është arritur të tejkalohen që nga viti 2001 dhe përfundimi i luftës së armatosur.
“Epoka e re”: Si e keni parë mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për gjendjen në Luginë të Preshevës dhe mosmiratimin e një rezolute në mungesë të kuorumit?
Kamberi: Është për t’u përshëndetur seanca e mbajtur dhe fakti që institucioni ligjvënës në Kosovë ka marrë përsipër të debatojë dhe të nxjerrë vendim për Luginën e Preshevës. Na ka zhgënjyer fakti që në mungesë të kuorumit atë ditë edhe nuk u votua ky dokument, edhe pse të gjithë e kemi pritur. Sido që të jetë, nëse Kuvendi do ta votojë këtë dokument në cilëndo formë qoftë, duhet të jetë i realizueshëm.
“Epoka e re”: Nëse në ditët në vijim deputetët do të mund ta aprovojnë këtë rezolutë, a prisni që të zbatohet dhe do të ketë efekt kjo rezolutë?
Kamberi: Pas rezolutës së aprovuar disa vjet më parë, e cila mjerisht mbeti vetëm dokument në letër, presim që vendimi i cili do të merret në Kuvendin e Kosovës të jetë edhe i realizueshëm, edhe të ketë efekt të drejtpërdrejtë në rajonin tonë. Respektivisht, në bazë të këtij akti duhet që Qeveria e Kosovës dhe ministritë përgjegjëse t’i zbatojnë pikë për pikë obligimet që dalin nga ky akt juridik. Mendojmë se, pavarësisht prej raporteve komplekse që janë me Serbinë, ekzistojnë mjaft hapësira që duhen shfrytëzuar që ndihma e Kosovës për Luginën e Preshevës të jetë e drejtpërdrejtë dhe efikase.
“Epoka e re”: Cila është forma më e mirë që Kosova, por edhe Shqipëria, t’i ndihmojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës?
Kamberi: Në radhë të parë Kosova duhet të bëjë angazhim maksimal që çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e bisedave me Serbinë. Në këtë dialog duhet përkujtuar Serbisë se edhe ajo ka obligime ndaj shqiptarëve në këtë rajon të cilat po i nëpërkëmbë. Veç të tjerash, realizimi i projekteve konkrete nga ministritë përkatëse mund të jetë një formë efikase e ndihmës që duhet adresuar për ne. Shembulli i Ministrisë së Drejtësisë, me projektin e rinovimit të një shkolle fillore dhe ai i Ministrisë së Financave, duhen ndjekur edhe nga ministritë e tjera. Por, forma më e mirë do të ishte vendosja e një linjë buxhetore për Luginën e Preshevës. Aktivizimi i Fondit për Luginën si produkt i një vendimi të dy qeverive (Prishtinë e Tiranë) nga mbledhja e Prizrenit është mundësi në vete për ta ndihmuar Luginën e Preshevës.
“Epoka e re”: Në ditën kur është mbajtur debati i jashtëzakonshëm në Kuvend, presidenti Thaçi u ka propozuar për miratim deputetëve një rezolutë e cila, përveç kërkesës për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, parasheh që çështja e Luginës të bëhet pjesë e dialogut Kosovë – Serbi si dhe përfaqësuesi i saj të jetë pjesë e delegacionit të bisedimeve. Do të ndodhë një gjë e tillë apo do të mbetet thjesht vetëm një deklaratë politike?
Kamberi: Ne jemi të interesuar që në Prishtinë të krijohet një konsensus politik për Luginën e Preshevës e kurrsesi që tema jonë të shërbejë si mollë sherri. Çastet aktuale dhe arritja e një marrëveshje eventuale me Serbinë duhen shfrytëzuar nga Kosova që Lugina e Preshevës të trajtohet në këtë dialog dhe të gjendet zgjidhje për të drejtat e shqiptarëve. Nuk dëshirojmë as të besojmë se kjo temë po eksploatohet për një luftë të brendshme politike në Kosovë. Ne dëshirojmë të besojmë në motivet e sinqerta të gjithsecilit përfaqësues institucional e politik në Kosovë se për Luginën e Preshevës duhet gjetur zgjidhje.
Shqipe HETEMI