Kosova themelon grupin punues për anëtarësim në NATO
Qeveria e Kosovës ka vendosur sot për themelimin e grupit punues ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike -NATO.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se duke pasur parasysh prioritetin strategjik kryesor për anëtarësim në NATO, Ministria e Punëve të Jashtme ka propozuar formimin e Grupit për integrimin e vendit tonë në NATO.
“Shqyrtimi i propozim-vendimit për themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në NATO. Duke pasur parasysh prioritetin e Kosovës për anëtarësim në NATO, MPDJ ka propozuar formimin e grupit ndërinstitucional për integrimin e vendit tonë në NATO. Objektivat kryesore të këtij grupi do të kenë avancimi i procesit të integrimit në NATO, përfshirja sa më e shpejtë e Kosovës në partneritetin për paqe, anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut A5, fuqizimi i Republikës së Kosovës në mekanizmat rajonal dhe ndërkombëtar të sigurisë, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit me aleatët strategjik ndërkombëtar”, ka thënë kryeministri Kurti.