Kosova U16 e nis me fitore turneun në Estoni
Përfaqësuesja e Kosovës U16 në konkurrencën e femrave e ka nisur me fitore turneun zhvillimor të UEFA-s në Estoni. Vashat e drejtuara nga trajneri Kushtrim Munishi në ndeshjen e parë në kuadër të këtij turneu e kanë mposhtur Letoninë, me rezultat 2-0.
Kosova pati paraqitje shumë të mirë dhe e mbizotëroi plotësisht lojën. Golin e parë e shënoi Njomza Osmani, në minutën e 40-të, derisa epërsinë e shtoi Fortesa Berisha, në minutën e 50-të.
“E kemi dominuar plotësisht kundërshtarin, derisa vajzat i kryen me përpikëri detyrat e dhëna. Kemi krijuar edhe shumë raste tjera shënimi dhe tani duhet të punojmë më shumë në finalizimin e aksioneve. Shpresoj të kemi paraqitje të tilla edhe në dy ndeshjet e ardhshme”, ka thënë pas ndeshjes trajneri Kushtrim Munishi. Ndeshjen e dytë Kosova e luan kundër Estonisë më 30 prill, derisa përballjen e fundit e luan kundër Lihtenshtajnit, më 2 maj.