Kosova U16 fitoi turneun zhvillimor të UEFA-s
02 maj 2019
| 16:03
Përfaqësuesja e Kosovës U16 në konkurrencën e femrave ka dalë fituese në turneun zhvillimor të UEFA-s, që u mbajt në Estoni.
Kosova edhe në ndeshjen e tretë të këtij turneu shënoi me rezultat bindës 5-1, në duel me Lihtenshtajnin. Rezultatin e ndeshjes e zhbllokoi Loreta Lulaj, me golin e shënuar në minutën e 20-të, me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë. Rezultatin në 2-0 e shtoi Alketa Rama, në minutën e 61-të.
Më pas ishin futbollistet e Lihtenshtajnit që shënuan për ta ngushtuar epërsinë në 2-1. Në minutën e 73-të, Njomza Osmani shënoi për 3-1, kurse tre minuta më vonë Albulena Guri shënoi për 4-1. Ndërkaq, rezultatin përfundimtar e vulosi Lumbardha Misini, në minutën e 80-të.