Kosova U17 barazon në miqësoren e parë me Bullgarinë
Kosova U17 e ka mbyllur baras miqësoren e parë kundër Bullgarisë në Sofje. Ndeshja e zhvilluar në kampin e kombëtareve të Bullgarisë është mbyllur pa gola (0:0).
Të dyja ekipet shfaqën lojë të hapur dhe me nga dy raste të mira secila, por nuk u treguan efikase para portave. Gjithsesi, paraqitja dhe angazhimi i djelmoshave të rinj dardanë ka qenë në nivelin e duhur, aq më parë kur dihet se kjo ishte ndeshja e parë e kësaj gjenerate. Pas ndeshjes përzgjedhësi i Kombëtares U17, Arsim Abazi është shprehur i kënaqur me atë çfarë kanë treguar futbollistë e tij në këtë miqësore dhe është shprehur optimistë se në ndeshjet e radhës ekipi do të vjen duke u bërë edhe më kompakt.
“Të them të drejtën jam i befasuar me angazhimin e lojtarëve, duke e ditur se kjo miqësore me Bullgarinë erdhi shumë shpejt dhe kishim vetëm me tri stërvitje të përbashkëta me djelmoshat. Ende lojtarët nuk e njohin mirë njëri-tjetrin dhe duhet edhe pak kohë për t’u komponuar, por jam shumë i kënaqur me përkushtimin dhe dëshirën e jashtëzakonshme të tyre për të mos e humbur këtë ndeshje. Tash e presim me entuziazëm edhe miqësoren e dytë kundër Bullgarisë. Për mua, por edhe për futbollistët këto dy miqësore janë shumë të rëndësishme, ngase na jepet mundësia të shohim se ku jemi dhe çfarë të punojmë më shumë në të ardhmen. Gëzon fakti se shumica e futbollistëve ishin nga kampionati vendor dhe me mjaft sukses u përballën me bullgarët, duke e treguar potencialin e tyre. Gjithsesi, na mbetet ende shumë punë për të bërë, por për fillim jemi të gjithë të kënaqur. Rëndësi ka fakti që sot patëm paraqitje të mirë dhe ky rezultat i jep vullnet edhe më të madh lojtarëve për ndeshjen e ardhshme”, është shprehur Abazi.
Miqësorja e dytë ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës do të zhvillohet të premten, në orën 11:00, sipas kohës lokale në Sofje.