Kosova U17 pëson humbje nga Kroacia
Përfaqësuesja e Kosovës U17 ka pësuar humbje nga Kroacia U17, me rezultat 0-4 në stadiumin “Branko Čavlović-Čavlek”.
Në ndeshjen e parë në kuadër të grupit 9-të të turneut kualifikues për Kampionatin Evropian “Qipro 2024″, Dardanët rezistuan vetëm deri në finish të pjesës së parë.
Të përzgjedhurit e Arbnor Morinës pësuan golin e parë nga Patrice Covic, një minutë para se të mbyllej koha e rregullt e pjesës së parë. Vetëm tre minuta pasi filloi pjesa e dytë, Dardanët pësuan golin tjetër nga Mislav Cutuk.
Përzgjedhësi Morina ndonëse bëri disa zëvendësime 10 minuta më vonë, duke e futur në lojë Jerlijajn, Rexhepin dhe Hazirin, në vend të Hajdinit, Isajt dhe Pacit, as kjo nuk bëri punë pasi që vetëm katër minuta më vonë, kroatët thelluan epërsinë në 3:0 me golin e Marko Zebic.
Edhe Kroacia U17 aplikoi dy zëvendësime pas golit të tretë, dhe kështu arritën të shënojnë sërish në minutën e 80-të, përmes Ivan Baric, për 0:4 cili ishte edhe rezultati përfundimtar.
Në ndeshjen e radhës Kosova U17 ballafaqohet me Kombëtaren e Anglisë, me 6 nëntor nga ora 12:00.