Kosova U18 grumbullohet për herë të parë për këtë vit
Përfaqësuesja e Kosovës U18 është grumbulluar për herë të parë këtë vit, përkatësisht për herë të katërt që nga krijimi i saj.
Nën drejtimin e përzgjedhësit Sami Sermaxhaj dhe stafit të tij Alban Dragusha, Sheremet Isufi, Erdin Hashani dhe Flamur Neziri, 34 lojtarët e grumbulluar do të stërvitin për tre ditë rresht në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Përzgjedhësi Sermaxhaj e ka vlerësuar pozitiv faktin që federata ka vendosur të ndjekë hapin e vendeve të zhvilluara për krijimin edhe të kombëtareve U16, U18 dhe U20.
“Ky është një organizim i ri që ka bërë federata, e që shkon përkrah organizimeve që kanë edhe shtetet e tjera. Ky është grumbullimi ynë i parë për këtë vit dhe e kemi aplikuar një metodologji të kujdesshme të përzgjedhjes së lojtarëve më të mirë të gjeneratës 2006 dhe 2007 në klubet e tyre. Shumica e lojtarëve edhe në të kaluarën kanë qenë pjesë e ekipeve zinxhirë të kombëtares. Mund të them me shumë përgjegjësi se ka shumë futbollistë të talentuar. Organizimi në këtë formë u shërben pikërisht talenteve dhe u jep mundësi që me shumë përgjegjësi dhe privilegj ta veshin fanellën e kombëtares”, ka theksuar Sermaxhaj.
Ai ka thënë se konkurrenca në disa pozicione është shumë e fortë, ku ka veçuar repartin sulmues, derisa ka thënë se si zakonisht më pak konkurrencë dhe potencial ka në vijën e mbrojtjes.
Pjesë e këtij grumbullimi janë edhe tre lojtarë që luajnë në klubet evropiane. Sermaxhaj ka thënë se meqenëse ky kamp është jashtë datave të lira ta UEFA-s, ata janë përqendruar për t’i grumbulluar futbollistët që luajnë në kampionatin vendor, pasi futbollistët që luajnë në Evropë hasin në vështirësi për shkak se duhet të kërkojnë leje nga klubet, por edhe nga shkollat ku i ndjekin mësimet.