Kosova U18 mposhtet nga Turqia
Ka pasur përmirësime të ndjeshme në lojën e Kombëtares U18 të Kosovës në hendboll në krahasim me dy ndeshjet e para në Kampionatin Evropian të Divizionit B që po mbahet në Letoni.
Ndonëse përmirësimi ishte i ndjeshëm, djemtë tanë e kanë humbur edhe ndeshjen e tretë në fazën grupore. Të enjten në Riga, Kosova U18 pësoi nga Turqia me rezultat 29:23. Pas pjesës së parë rezultati ishte 18:10. Në periudha ka funksionuar loja jonë, por djemtë e kanë kuptuar që për paraqitje të nivelit më të lartë duhet të punojnë shumë më tepër.
Gjithsesi përvoja në këtë Evropian do të shërbejë shumë për këtë gjeneratë që po i luan ndeshjet e para zyrtare ndërkombëtare. Elion Goçi, Amar Muqolli e Olsi Mulaj kanë shënuar nga pesë gola ndaj Turqisë. Goçi i kishte shtatë tentime, Muqolli nëntë, ndërsa Mulaj njëmbëdhjetë. Faza grupore në Evropian ka përfunduar, ndërsa kanë mbetur ndeshjet për plasman.