
Kosova U18 u kualifikua në Kampionatin Botëror, presidenti i KOK-ut: Arritje historike
Presidenti Ismet Krasniqi ka pritur sot Kombëtaren e Kosovës U18 në hendboll, të cilët ditë më parë shkruan historinë, duke u kualifikuar në Kampionatin Botëror U19.
Djemtë tanë fituan turneun “IHF Trophy Intercontinental”, të mbajtur në Prishtinë, për të siguruar ‘biletën’ për në Botëror.
“Presidenti Krasniqi i përgëzoi sportistët dhe stafin teknik për arritjen historike, duke theksuar rëndësinë që ka ky sukses për përfaqësimin tonë në arenën ndërkombëtare. Presidenti shprehu optimizmin se edhe hendbollistët e rinj do të përfaqësojnë Kosovën sa më mirë, në këtë ngjarje madhore, duke vazhduar traditën e përfaqësimeve të suksesshme të sportistëve tanë në garat ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.
Në emër të kombëtares, sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Muhamet Arifi, tha se kjo arritje është vazhdimësi e rrugëtimit të suksesshëm drejt botërorit dhe të Kombëtares U-21 të djemve dhe U-18 të vajzave, të cilat më parë ishin kualifikuar në Botëror.
Përzgjedhësi Fatmir Muhaxheri dhe kapiteni Olsi Mulaj folën për sfidat dhe ndeshjet e fituara, si dhe optimizmin për t’u përfaqësuar sa më mirë në ngjarjen më të madhe botërore të hendbollit për këtë grupmoshë.