Kosova U19 barazon kundër Rusisë U19
Përfaqësuesja e Kosovës U19 i ka nisur me barazim kualifikimet për Kampionatin Evropian “Irlanda e Veriut 2020”, që po mbahen në Uells në kuadër të Grupit 5.
“Dardanët” e drejtuar nga Ramiz Krasniqi kanë barazuar me Rusinë, me rezultat 1-1, në një ndeshje mjaft të fortë dhe me angazhim maksimal të të dyja palëve.
Kosova kaloi e para në epërsi në minutën e 11-të, kur Adonis Aliu shënoi një gol me mjeshtëri me parabolë në përballje me portierin rus. Megjithatë, gëzimi i “dardanëve” zgjati vetëm një minutë, pasi rusët pas një aksioni nga krahu i djathtë arritën të barazojnë shifrat me golin e Igor Shkolik.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Uellsi e mposhti Poloninë, me rezultat bindës 3-0. Ndeshjen e dytë Kosova U19 e zhvillon kundër Polonisë, më 16 nëntor, derisa ndeshjen e fundit kundër Uellsit, më 19 nëntor.