Kosova U19 luan ndeshjen e parë në kualifikimet për ‘Euro 2022’
Përfaqësuesja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave ndodhet në Poreç të Kroacisë ku do t’i zhvillojë ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2022.
Pas suksesit të arritur me Përfaqësuesen U17, ku arriti që nga Liga B të kalojë në Ligën A të kualifikimeve, përzgjedhësi Kushtrim Munishi tani synon që një sukses të tillë ta arrijë edhe me Përfaqësuesen U19.
Të hënën “Dardanet” U19 e kanë mbajtur stërvitjen e dytë në Poreç, teksa sot (e martë) do ta zhvillojnë duelin e parë ku do të përballen me Letoninë në orën 11:00. Më pas futbollistet e Kosovës do të takohen me Lihtenshtajnin më 22 tetor derisa ndeshjen e fundit e luajnë kundër Kroacisë më 25 tetor. Kalimin në Ligën A (raundi i dytë kualifikues) e siguron ekipi që renditet i pari, derisa tutje kalon edhe ekipi më i mirë i vendit të dytë nga të gjashtë grupet e Ligës B.
Përfaqësuesja e Kosovës në këto kualifikime përbëhet nga 20 lojtare, 14 prej të cilave janë nga kampionati vendor dhe 6 nga klubet evropiane.
/Epoka e re/