Kosova U19 në futsall po përgatitet për ndeshjet parakualifikuese në Shkup

17 janar 2023 | 15:23

Përfaqësuesja e Kosovës në futsall U19 është duke u përgatitur për ndeshjet e rrethit paraeliminator për Kampionatin Evropian, të cilat zhvillohen në Shkup më 20 dhe 21 janar.

Kosova bën pjesë në grup me Gjermaninë dhe Maqedoninë e Veriut, derisa tutje kualifikohet skuadra që e fiton grupin. Stërvitjet e “dardanëve” U19 të futsallit po mbahen në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, derisa ekspedita e përfaqësueses ka udhëton të mërkurën në mesditë për në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku do t’i zhvillojë edhe dy stërvitje tjera para përballjes së parë me Gjermaninë, të premten në orën 17:00.

Përzgjedhësi Suad Keçi është shprehur i kënaqur me kushtet e punës gjatë këtij grumbullimi si dhe me përkushtimin e lojtarëve për të dhënë më të mirën e tyre. Brengosëse për të mbetet fakti që shumicën e lojtarëve që ka në dispozicion janë pjesë e futbollit dhe gjatë këtyre ditëve është punuar shumë në aspektin taktik, por edhe në shpjegimin e rregullave të futsallit. Mirëpo, ai ka bërë të ditur se po thuajse me të njëjtin problem përballen edhe ekipet tjera, duke pasur parasysh se ka mungesë të lojtarëve nën 19-vjeç që janë pjesë e klubeve të futsallit.

Ndërkaq, dy lojtarët e vetëm që janë pjesë e futsallit edhe me klubet e tyre, Elton Demaj dhe Jon Krasniqi janë shprehur optimistë për sukses në këtë rreth parakualifikues. Ata kanë thënë se edhe lojtarët e tjerë shumë shpejt janë ambientuar me lojën  e futsallit dhe bashkëpunimi mes tyre është shumë i mirë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dje janë bërë pesë vjet kur politikani serb, Oliver Ivanoviq…