Kosova vazhdon përgatitjet për Azerbajxhanin dhe Ishujt Farore
Futbollistët e Kosovës, nën drejtimin e trajnerit Bernard Challandes, i kanë zhvilluar dy përgatitjet e radhës të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Futbollistët janë të kënaqur që tash do ta kenë mundësinë të luajnë në Kosovë, kurse presin fitore në dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është duke i vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet në Ligën e Kombeve ndaj Azerbajxhanit më 7 shtator dhe më 10 shtator ndaj Ishujve Faroe. Djelmoshat e Kosovës nën drejtimin e trajnerit Bernard Challandes të martën i kanë zhvilluar dy seancat e radhës stërvitore. Kapiteni Samir Ujkani është optimist se Kosova mund të shënojë fitore në të dyja ndeshjet, kurse ka treguar se është një kënaqësi për futbollistët që t’i zhvillojnë seancat stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Është kënaqësi të stërvitesh në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ndërsa po e ndiejmë madhështinë e tij këtu që aq shumë dëshironte të luanim. E vështirë pa të, por ne do të luajmë e do të angazhohemi maksimalisht për të dhe për gjithë Kosovën. Atmosfera në mesin tonë është mjaft e mirë dhe ne besojmë shumë se do të kemi rezultate të favorshme. Kemi bërë një stërvitje në një nivel shumë të mirë. Kushtet janë shumë të mira pasi që fusha po na lejon për t’i bërë ushtrimet maksimale”, ka thënë Ujkani.
Ndërsa ylli i skuadrës së Werder Bremenit, Milot Rashica, ka bërë thënë se përgatitjet me Kosovën po shkojnë mirë, kurse lëndimi i vogël i pësuar në skuadrën gjermane nuk është serioz. “Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. E kam pasur një lëndim, po nuk është shumë serioz. Jemi duke bërë gjërat e nevojshme dhe besoj se çdo gjë do të jetë në rregull”, ka thënë Rashica, i cili shihet si ndër armët më të forta në Përfaqësuesen e Kosovës. Përgatitjet në Prishtinë dhe zhvillimin e lojërave si vendës i ka mirëpritur Hekuran Kryeziu, i cili beson se gjithçka do të shkojë në mënyrën më të mirë në dy ndeshjet e radhës. “Fusha është shumë e mirë. Janë këto gjëra që ne moti kemi dëshiruar si lojtarë dhe si përfaqësues. Nuk do të ketë më udhëtime si më herët dhe shpresojmë se çdo gjë do të shkojë ashtu siç duhet”, ka deklaruar Kryeziu.
Përfaqësueses që drejtohet nga zvicerani Bernard Challandes të martën i janë bashkuar edhe Edon Zhegrova, Herolind Shala dhe Mërgim Vojvodva.
/Epoka e re/