Kosova vazhdon të mbetet me shkallën më të ulët të përfshirjes së fëmijëve në edukimin parafillor
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ka mbajtur të martën mbledhjen e radhës, të kryesuar nga kryetari Ardian Gola, në të cilën të ftuar për prezantim ishin përfaqësuesit e GIZ-it, lidhur me temën “Sistemi i arsimit parauniversitar në Kosovë”.
Osman Buleshkaj, konsulent i GIZ-it, pranë Komisionit, ka prezantuar nivelet kryesore të sistemit arsimor në Kosovë, duke u bazuar në fakte dhe hulumtime të realizuara nga kjo organizatë.
Buleshkaj, duke folur për edukimin parashkollor, ka theksuar nevojën e finalizimit të Ligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme, pasi që sipas tij, nga mosha zero deri në gjashtë vjeç, Kosova vazhdon të mbetet me shkallën më të ulët të përfshirjes së fëmijëve në edukimin parafillor.
Ndër sfidat kryesore sipas Buleshkajt, mbetet shpërndarja joadekuate e institucioneve parashkollore nëpër komuna, të cilat siç tha ai, funksionojnë me vetëm nga një institucion publik.
Krahas kësaj, ai paraqiti edhe një varg çështjesh dhe shqetësimesh që ndërlidhën me institucionet parashkollore, e që kanë të bëjnë me mungesën e infrastrukturës së përshtatshme për moshën e fëmijëve, mungesën e materialeve didaktike, mungesën e financimit dhe mekanizmave për sigurimin e cilësisë së shërbimeve, mungesën e kurrikulës etj.
Tutje, Buleshkaj foli edhe për sfidat dhe problemet në arsimin parauniversitar, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë në arsimin e përgjithshëm parauniversitar, kurrikulat, kapacitetet e mësimdhënësve, tekstet shkollore si dhe rrjetin e shkollave.
Lidhur me këtë, ai kërkoi që të ndërmerren masa të nevojshme përkitazi me ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në menaxhim, forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, rritjen e përfshirjes aktive të nxënësve nga grupet e margjinalizuara, përmirësimin e infrastrukturës shkollore, digjitalizimin e të dhënave, rritjen e kapaciteteve për organizimin e teksteve kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe zbatimin e të gjitha elementeve të kurrikulës etj.
Anëtarët e Komisionit shtruan një varg çështjesh dhe pyetjesh që ndërlidhën me fushën e sistemit të arsimit parauniversitar, për të cilat përgjigje dhanë përfaqësuesit e GIZ-it.