Kosova vë tarifë edhe për brendet e huaja që prodhohen në Serbi dhe Bosnje
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që tarifë doganore 100 për qind të vendosë edhe për brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje dhe nga këto shtete hyjnë në Kosovë.
Në vendimin e 21 nëntorit, kur qeveria vendosi tarifë 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, kishte lejuar që për nëntë brende ndërkombëtare të mos të zbatohet tarifa.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Qeverisë së Kosovës, Endrit Shala, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se tashmë asnjë produkt që vjen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nuk përjashtohet nga tarifa prej 100 për qind.
“Nga 21 janari, secili produkt që ka origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, e ka taksën prej 100 për qind”, ka thënë Shala.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministri Shala ka theksuar që vendosja e tarifës edhe për brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, nuk mund të ndikojë në marrëdhëniet me vendet prej nga janë këto brende.
Ai ka theksuar se ka biseduar me përfaqësuesit e këtyre kompanive dhe ato tashmë kanë filluar që ta furnizojnë me brendet e veta tregun në Kosovë përmes vendeve tjera dhe jo nga Serbia.